Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se kërcënimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj aleatëve të NATO-s, të cilët kundërshtojnë ambicien e tij për të marrë nën kontroll Groenlandën, rrezikojnë të nxisin një “spirale përshkallëzimi” me pasoja serioze për ekonominë botërore.

Në një përditësim të vlerësimeve të tij të ekonomisë globale,FMN thekson se një rikthim i fortë i tensioneve tregtare përbën një nga rreziqet kryesore për rritjen globale në vitin 2026. Pierre-Olivier Gourinchas, ekonomist pranë FMN-së, tha për The Guardian, se një përplasje tregtare mes SHBA-së dhe Europës do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm te familjet në të dy anët e Atlantikut.

“Ne të gjithë e dimë se nuk ka fitues në një luftë tregtare, dhe kjo është gjëja që duhet mbajtur mend”, u shpreh Gourinchas, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i masave hakmarrëse do të dëmtonte konsumatorët, investimet dhe stabilitetin financiar.

Duke folur në prezantimin e raportit të përditësuar të Perspektivës Ekonomike Botërore (WEO), ai u bëri palëve thirrje për një “zgjidhje miqësore”. Sipas tij, një skenar me masa reciproke dhe politika ndëshkuese do të kishte një efekt edhe më negativ mbi ekonominë globale.

Këto paralajmërime vijnë ndërsa liderët botërorë përgatiten të mblidhen në Davos të Zvicrës për Forumin Ekonomik Botëror, i cili shihet si një moment kyç për rimëkëmbien e bashkëpunimit ndërkombëtar. Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva, pritet të zhvillojë takime të rëndësishme në Davos, mes përpjekjeve për të ulur tensionet me Uashingtonin.

Në përditësimin e raportit WEO të publikuar në tetor të vitit të shkuar, FMN vlerësonte se presionet nga tensionet tregtare globale në vitin 2025 ishin kompensuar nga rritja e fortë e investimeve në teknologji dhe në inteligjencë artificiale, veçanërisht në SHBA dhe Europë. Sipas fondit, rritja globale pritet të mbetet relativisht e qëndrueshme, në nivelin 3.3% në vitin 2026 dhe 3.2% në 2027, shifra të ngjashme me rritjen e parashikuar për vitin 2025.

Megjithatë, këto parashikime u finalizuan në dhjetor, përpara përshkallëzimit të fortë të tensioneve gjeopolitike në fillim të vitit 2026 dhe kërcënimeve të Trump për Groenlandën. FMN paralajmëron se tensionet gjeopolitike dhe tarifat doganore mund t’i nxjerrin këto projeksione jashtë kursit.

Sipas Gourinchas, një luftë tregtare “ballë për ballë” mund të shkaktojë një rishikim të fortë të vlerësimeve në tregjet financiare, të cilat aktualisht ndodhen në nivele rekord, të nxitura nga fluksi i madh i investimeve në sektorin teknologjik amerikan. Një goditje e tillë do të sillte paqëndrueshmëri, duke ndikuar negativisht vendimmarrjen e bizneseve, investimet dhe konsumin.

FMN ka rishikuar me rritje parashikimin për ekonominë amerikane, duke e çuar rritjen në 2.4% këtë vit, nga 2.1% që ishte vlerësimi i tetorit. Fondi vëren se investimet e lidhura me teknologjinë kanë kontribuar gjithashtu në aktivitetin ekonomik në vende si Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, ndonëse jo në të njëjtën shkallë si në SHBA.

Për Mbretërinë e Bashkuar, FMN ka lënë të pandryshuara parashikimet për vitet 2026 dhe 2027, me rritjen përkatëse prej 1.3% dhe 1.5%