Afro 40% e buxhetit të familjeve shqiptare shkon për ushqime. Kjo barrë synohet të ulet në vitin e ardhshëm, për shkak të uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore, ku përfshihen nga buka, te bulmeti e mishi.
Por kjo ulje e përgjithshme, kritikohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me argumentin se duhet të ishte me fokus tek ata më në nevojë, pasi nga nisma do të përfitojnë më shumë ata që kanë të ardhura më të larta.
“Familjet me të ardhura më të larta shpenzojnë më shumë për ushqime në terma absolutë dhe, për rrjedhojë, përfitojnë më shumë në vlerë monetare nga kjo masë. Mbështetja për familjet në nevojë mund të ofrohet në mënyrë më efektive përmes ndihmës sociale të targetuar, e cila mundëson orientimin e burimeve të kufizuara fiskale drejt atyre që kanë më shumë nevojë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga FMN.
FMN në një përgjigje zyrtare për Report TV ngre shqetësimin se një politikë me norma të reduktuara tatimore, krijon hapësira për deformime të çmimeve, dhe nuk është e garantuar që kjo ulje reflektohet edhe në çmime më të lira.
“Normat e reduktuara të TVSH-së krijojnë gjithashtu shtrembërime në sinjalet e çmimeve, duke favorizuar disa produkte kundrejt të tjerave. Për më tepër, një pjesë e përfitimit nga ulja e tatimit mund t'u mbetet prodhuesve ose tregtarëve, në vend që të reflektohet plotësisht në çmimet për konsumatorët”, vijon shefi i FMN.
Sa i takon uljes së pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset, nga xhiro mbi 10 milionë lekë në xhiro mbi 5 milionë lekë, FMN thotë se ishte lëvizje e duhur, por thekson se duhet forcim i kontrolleve tatimore për të mos lejuar deklarim të rremë të xhiros nga subjektet që do të preken.
“Ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në zgjeron bazën tatimore dhe zvogëlon dallimet në trajtimin tatimor ndërmjet bizneseve të madhësive të ndryshme. Ky ndryshim duhet të shoqërohet me forcimin e administrimit tatimor. Kjo do të ndihmojë në kufizimin e informalitetit, përfshirë stimujt për të nëndeklaruar xhiron ose për të fragmentuar aktivitetin ekonomik me qëllim qëndrimin nën pragun e regjistrimit”, vijon më tej FMN.
Kritika FMN ka edhe për dhënien e bonuseve mujore për pensionsitët, pasi thekson se nuk janë zgjidhje për deficitin e skemës dhe dobësojnë lidhjen midis kontributit dhe përfitimit.
Sipas këtij institucioni skema aktuale e pensioneve që ka kaluar një dekadë në fuqi duhet të reformohet dhe rekomandon barazimin e moshës së daljes në pension mes burrave dhe grave në 67 vjeç, dhe jo vetëm, edhe rritje të moshës për të përfituar pension, që sipas këtij institucioni duhet të lidhet me jetëgjatësinë.

Bonuset mujore nuk janë zgjidhje për skemën e pensioneve, duhet reformë e re. Ky është qëndrimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili sqaron për Report TV se vijimi i skemës së bonuseve mujore për pensionet e dobëson lidhjen midis kontributit dhe përfitimit.
“Bonuset e dhëna në mënyra të veçanta dobësojnë lidhjen ndërmjet kontributeve dhe përfitimeve, si dhe e bëjnë planifikimin buxhetor më pak të parashikueshëm. Për këtë arsye, mbështetja duhet të integrohet në një kuadër transparent, të bazuar në rregulla të qarta”, thekson FMN.
Sipas FMN, fokusi duhet të jetë tek reformimi i skemës në mënyrë që të jetë më e qëndrueshme dhe të merren masa për të nxitur punësimin formal.
“Objektivi duhet të jetë përmirësimi i mjaftueshmërisë së pensioneve, duke ruajtur lidhjen ndërmjet kontributeve që individët paguajnë gjatë jetës aktive në punë dhe pensioneve që përfitojnë, duke mbështetur stimujt për punësim formal dhe duke garantuar qëndrueshmërinë financiare të sistemit”, vijohet më tej.
Fmn rekomandon barazimin e moshës së daljes në pension mes burrave dhe grave në 67 vjeç, dhe jo vetëm, edhe rritje të moshës për të përfituar pension, që sipas këtij institucioni duhet të lidhet me jetëgjatësinë.
“Prioritetet duhet të përfshijnë rritjen e pjesëmarrjes në skemën formale të sigurimeve shoqërore dhe përmirësimin e respektimit të detyrimeve për pagesën e kontributeve; barazimin e moshës së daljes në pension për gratë dhe burrat, në përputhje me acquis-në e BE-së; si dhe lidhjen e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë”, thotë FMN.
Pra, propozohet që sa më e gjatë jetëgjatësia mesatare në shqipëri aq më e larg edhe dalja në pension.
“Reformimi i sistemit nuk nënkupton ndërprerjen e mbështetjes për pensionistët në nevojë. Përkundrazi, synimi është që kjo mbështetje të ofrohet në mënyrë transparente dhe të parashikueshme, duke shmangur masa që dobësojnë stimujt ose krijojnë detyrime afatgjata pa burime të siguruara financimi. Mbështetja për shtresat më të varfra të popullsisë, përfshirë pensionistët me të ardhura të ulëta, mund të shënjestrohet më mirë përmes sistemit të mbrojtjes sociale”, përfundon përgjigja e Shefit te Misionit të FMN, Diego Cerdeiro.








Komente
Komento