Kërcënimi i ISIS, NATO strukturë
në Tiranë, rritet niveli i sigurisë

Kërcënimi i ISIS, NATO strukturë<br />në Tiranë, rritet niveli i sigurisë
Qendra e Ekselencës së NATO-s për Luftëtarët e Huaj do të jetë superstruktura e re, e cila do të marrë në dorë luftën kundër terrorizimit në Shqipëri. Pas Ankarasë, Qendra e Ekselencës së NATO-s do të ngrihet në Tiranë, në fillim të vitit 2017.

Qendra antiterrorizëm, e cila kërkon resurse të mëdha financiare dhe njerëzore për t’u ngritur, do të angazhohet për përballjen e fenomenit të terrorizimit, konkretisht të kërcënimit nga ISIS, në dy këndvështrime;

Nga ai akademik dhe nga ai i zbatueshmërisë në territor. Ngritja e kësaj qendre është parashikuar në buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2017, ndërsa struktura ka marrë miratimin nga Komiteti Ushtarak i NATO-s.

Ngritja e strukturës në fjalë vjen disa ditë pasi Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan, vizitoi për herë të parë Tiranën dhe pas një shqetësimi të Perëndimit për rritjen e influencës ruse në Ballkan.

Propozimi
Propozimi për ngritjen e qendrës është bërë nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, që në fillim të muajit mars të vitit 2016, në Konferencën e NATO-s për Sinkronizimin dhe Transformimin e Stërvitjes. Ushtarakët e NATO-s e mbështetën si ide, por thanë se konkretizimi i saj i takonte vendimmarrjes politike të NATOS-s. Por Aleanca ka dhënë “OK” për ngritjen e strukturës kundër luftëtarëve të huaj, duke e kthyer Shqipërinë në pikë referenca në Ballkan sa i takon luftës kundër terrorizimit. Qendra që pritet të akomodohet brenda Garnizonit Skënderbej do ta çojë sigurinë e Shqipërisë në një nivel tjetër, të përafërt me nivelin e sigurisë të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Po ashtu, me ngritjen e Qendrës së NATO-s, kufijtë e Shqipërisë do të jenë më të sigurt.

Finalizimi
Ministria e Mbrojtjes është drejt finalizimit të Qendrës së Ekselencës së NATO. “Ne kemi propozuar ngritjen e të parit institucion, strukturë të NATO-s këtu në Shqipëri, që është Qendra e Ekselencës për Luftëtarët e Huaj. Kjo strukturë është miratuar tashmë në Komitetin Ushtarak që në javën e parë të majit të këtij viti dhe jemi drejt finalizimit të procedurave teknike për ta hapur këtë qendër. Jo vetëm kaq, por ne kemi pjesën tonë të punës dhe të detyrimit, e cila sigurisht, na ngarkon nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese me disa detyra të përcaktuara”, ka sqaruar ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pak ditë më parë, në Komisionin e Sigurisë.

Struktura e NATOS
Ministrja ka pohuar se qendra që do të ngrihet në Tiranë është e ngjashme me strukturën në Ankara. “Ju e dini shumë mirë që shumë struktura në botë, qoftë edhe struktura të ngjashme me Qendrën e Ekselencës, që ne duam të ngremë, si ajo në Ankara, kundër terrorizmit, ajo në Bukuresht e inteligjencës, janë struktura të NATO-s, të cilat merren jo vetëm me atë që ndodh në praktikë, por edhe me diskutimin apo vështrimin apo angazhimin për studimin e fenomenit që në gjenezë, ku lind ai, pse lind, kush e bën të lindë, si është netëork-u i kësaj strukture, pavarësisht nga emri i saj (DAESH, ISIS apo si të duam)?”, ka pohuar Kodheli.
 

Italia i dhuron ushtrisë shqiptare 5 mijë automatikë
Shqipëria ndahet nga kallashnikovi. Italia do t’i dhurojë ushtrisë shqiptare 5000 armë automatike dhe municione. “Sasia për momentin prej 5000 armësh automatike bashkë me municionin, që ne do të marrim nga Italia, vlen rreth 10 milionë euro, çka tashmë Ministria e Mbrojtjes e Italisë e ka kaluar për miratim me ligji të veçantë në parlamentin italian, i cili besoj dhe shpresoj që do të mbyllet menjëherë pas referendumit të ditëve të para të dhjetorit, pra para festave.

Kjo të paktën na është thënë dhe na është garantuar”, ka pohuar Kodheli. Ndërkaq, 250 automjeteve të blinduara do të dhurohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nga ky moment që flasim, brenda dhjetë ditëve, besoj se do të lidhim një kontratë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për suportin nga ana e tyre në total të 250 mjeteve të blinduara, ku marzhi i parë, pra dërgesa e parë, do të fillojë të lëvrohet në muajin janar ose shkurt, do të jetë rreth 78 mjete të blinduara”, tha Kodheli.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)