ELBASAN - Dy persona janë vënë nën hetim pasi dyshohet se kanë kërcënuar gazetarin Osman Stafa, për shkak se ky i fundit filmoi nxjerrjen e inerteve në lumin Shkumbin nga një kompani.

33-vjeçari me iniciale R.T. dhe 31-vjeçari me inicialet A.B. po hetohen tashmë për veprën penale “Kanosje për shkak të detyrës”, ndërsa gazetari Stafa pretendon në rrjetet sociale se të dy të rinjtë e kanë ndjekur me makinë, duke i prerë rrugën dhe kanë nisur ta kërcënojnë. E gjithë kjo skenë, dyshohet të ketë ndodhur në aksin Librazhd-Elbasan.

“Ndalimi që m'u bë në mes të rrugës i ngjan një akti mafioz”,- thekson Stafa.

“Gjatë dokumentimit të një rasti të nxjerrjes së inerteve në lumin Shkumbin, u përballa me një situatë që e konsideroj një përpjekje për intimidim dhe një kërcënim të hapur. Ndalimi që m'u bë në mes të rrugës i ngjan një akti mafioz. Pas filmimeve, një automjet më ndoqi dhe më preu rrugën. Për këtë ngjarje kam depozituar kallëzim në Policinë e Elbasanit”,- shkruan gazetari.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedimin penal për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës", ndaj shtetasve R. T., 33 vjeç,  banues në Tiranë dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.

Më datë 17.07.2026, rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Policisë ka njoftuar shtetasi O. S., gazetar, i cili ka deklaruar se, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy shtetas që udhëtonin me një automjet.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.