“Fatkeqësisht dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës eshte shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin!”, ishte deklarata e kreut të PS në faqen e tij zyrtare.
Ai e ka cilësuar turp vendimin e Spahiut, që shpërdoron idealet e pastra të njerëzve që kontribuojnë aty. “Çfarë turpi ky i shpërdorimit të simbolit kuqezi për të fryrë një komerdare shpëtimi për pushtetin e korrupsionit që medemek po lufton, duke tërhequr prej hunde njerëz të ndershëm e te lodhur nga politika e nga partitë aktuale!
Çfarë pështirosje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota AK duhet të merrte një portofol ministror!”, nënvizon Rama.
Që nuk mungon të përmendë dhe emrat e personave të Zhgënjyer, mes tyre profesorët Xhufi e Pasha. “Çfarë talljeje me idealet e me aspiratat e Myslym Pashait e të Pellumb Xhufit që e kanë mbështetur me zemër këtë farsë të Saliut, i gjithë ky sharlatanizëm spektakolar!
Shkurt fjala, Aleanca Kuqezi të dashur miq s’qenkej gjë tjetër përveçse grahma e fundit e Saliut dora vetë. Ndërsa vetë Kreshniku xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut”, deklaron Rama.
I cili është shprehur shumë i vendosur për të qënë përballë Berishës për ta larguar njëherë e mirë atë nga pushteti. Ndërkohë burime brenda Aleancës Kuq e Zi bëjnë me dije se është negociuar me socialistët dhe Edi Ramën gjatë gjithë natës për të arritur një akord për koalicionin parazgjedhor, por asnjë nga pikat e paraqitura në liustën prej gjashtë kërkesah nga Spahiu dy ditë më parë nuk ishte pranuar nga kreu i opozitës Edi Rama.
Ndaj ata thanë se vendosën të dalin vetëm në këto zgjedhje, të cilat janë të vështira. Por që për Ramën ky vendim është një dorë që kërkon AK t’ia japë Berishës në këto momente shumë të vështira për të dhe qeverisjen e tij.
Redaksia Online
(s.g/shqiptarja.com)