Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv është diskutuar mbrëmjen e sotme kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj për Grupin Parlamentar të PS, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për kërcënimet që ai pretendon se i janë bërë nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë që e vizitoi në burg.
Avokati Rezart Kthupi tha gjatë fjalës së tij se në teori objekti i Komisionit qëndron, por në praktikë sipas tij, ha debat shumë të madh.
Për Kthupin, kjo është një lëvizje politike e Veliajt, për të qëndruar në sferën mediatike dhe diskursin publik, sidomos para mbajtjes së Asamblesë së PS.
“Kushdo që e ka formuluar këtë objektin e veprimtarisë së komisionit, ka qenë shumë i kujdesshëm. Për të ngritur një Komision Hetimor, komisioni ngrihet për të kuptuar nëse ligji ka mangësi, nëse ligji ka parregullsi apo zbatohet keq. Kjo është arsyeja që shkon pastaj te ai që është funksioni kryesor i Kuvendit që është kontrolli i institucioneve të varësisë. Pra në teori duket se objekti i Komisionit është mirë, qëndron në këmbë. Në praktikë ha debat shumë të madh. Ai që e ka formuluar është një njohës shumë i mirë i jetës parlamentare. Unë mendoj se kjo është një lëvizje politike e Veliajt për të qëndruar në sferën mediatike në diskursin publik, pasi ajo që ndodhi një javë më parë kur u çel historia e Gogut në burgun e Fierit, u shua mediatikisht dhe sot ajo që është e nevojshme është që të rikthehet sërish në vëmendjen e publikut, që ka një akt të paligjshëm të pretenduar të kryeministrit”, tha mes të tjerash Kthupi.
Duke theksuar se kërkesa e Veliajt mund të qëndrojë ligjërisht, ai shtoi se kryebashkiaku duhet ta kishte bërë këtë lëvizje 2 ditë pas arrestimit të tij, kur kryeministri Rama mbajti një miting në Sheshin Skënderbej me punonjësit e Bashkisë Tiranë.
Ky ishte momenti sipas tij i marrjes defacto të autoritetit të kryetarit të Bashkisë nga kryeministri i vendit. Një tjetër moment të rëndësishëm, Kthupi shikon atë kur sipas tij, Veliaj u detyrua që të firmoste aktin e delegimit të firmës te një person i komanduar nga Rama.
“Në këtë pikë edhe mund të qëndrojë ligjërisht kërkesa për ta ngritur komisionin hetimor, por problemi do të jetë te numri. Duhen 7 deputetë që të firmosin kërkesën për të ngritur një komision hetimor. Veliaj nëse donte të ngrinte një Komision hetimor do të duhet të fillonte që nga mitingu 2 ditë pas ndalimit të tij që bëri Rama në sheshin Skënderbej me punonjësit e bashkisë. Sepse aty fillon bjerrja apo marrja defacto e autoritetit të kryetarit të bashkisë nga kryeministri i vendit. Aty fillon realisht beteja. Nga ai moment është momenti tjetër që e detyruan Veliajn që të firmoste aktin e delegimit të firmës te një person i komanduar nga Rama. Për hirë të koherencës ti e bën kërkesën që nga momenti kur të ka lindur fakti. Kështu që mendoj që gjasat që përtej këtij diskutimi mediatik që ne do i bëjmë sot, i shikoj thuajse zero”, theksoi Kthupi.
Nga ana tjetër, juristi Romeo Kara tha se Veliaj ka kapur një moment shumë të mirë, atë të transferimit të tij drejt Fierit, për të politizuar gjithë çështjen penale të ngritur ndaj tij.
Duke theksuar se Veliaj i ka hapur probleme mazhorancës, avokati Kara tha se Veliaj do të japë mesazh që kryeministri Rama i ka ‘lidhur këmbët’ drejtësisë, mazhorancës dhe institucioneve.
“Veliaj ka kapur momentin me atë transferim që i është bërë në burg, për të politizuar të gjithë çështjen penale kundrejt tij. Dhe i ka krijuar problem jo vetëm mazhorancës dhe mirë ja bën... Se për mua ky moment tregon se ka rënë hipokrizia e bashkëpunimit të tyre për të mirën e Shqipërisë. Ai do japë një mesazh, por këtu i ka lidhur këmbët drejtësisë. Ai do të japë mesazh që kryeministri urdhëron edhe ministrin të shkojë në 10:30 të darkës atje për të përcjellë shantazhe e kërcënime.
Ai po jep mesazhe që nesër do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë përballë gjykatës. Do të provojë që këtu është e kapur edhe mazhoranca, nuk gjendet e drejta këtu ku duhet gjetur, në tempullin e drejtësisë. Ai do të tregojë që unë i respektoj institucionet, por këtu ka një njeri që ka kapur edhe vendin e Ballës, edhe të Toni Gogut, edhe të gjithë të tjerëve”, tha mes të tjerash Karaj.









Komente
Komento