Në Lin të Pogradecit, arkeologët po përpiqen të zbulojnë jo vetëm se sa i madh është vendbanimi, por si ka funksionuar dhe si ka ndryshuar ndër shekuj.

Siti shtrihet në rreth 6 hektarë, ndërsa këtë sezon kërkimet janë përqendruar te pjesa nënujore, shpimet, studimet gjeofizike dhe modelimi 3D.

“Këtë vit po bëjmë kryesisht kërkime nënujore. Tri javë më parë nisëm me një fushatë shpimi”, tha Martin Hinz.

Përmes këtyre metodave, studiuesit po kërkojnë të përcaktojnë më saktë shtrirjen e vendbanimit dhe të hartëzojnë strukturat që ndodhen ende nën ujë.

“Po krijojmë një model 3D nga një zonë që nuk është gërmuar ende, në mënyrë që të identifikojmë se si janë të shpërndarë pilat, shtyllat e drurit që janë ende të ruajtura”, shtoi ai.

Mostrat e sedimenteve po përdoren edhe për analiza të ADN-së së lashtë, ndërsa kampionet e marra nga shtresat kulturore dhe palafitet do të studiohen në laboratorë europianë.

“Sot mund të nxirret ADN edhe thjesht nga kampionët e sedimenteve dhe të identifikohen se çfarë lloj speciesh kanë qenë të pranishme në atë periudhë”, tha Hinz.

Tashmë kërkimi në “Lin 3” po kalon në një fazë tjetër: nga zbulimi i vendbanimit te rindërtimi i mënyrës se si kanë jetuar njerezit per mijëra vjet.