Universitetet konsiderohen gjithnjë e më shumë si institucionet më të përshtatshëm për zhvillimin e kërkimit shkencor. Dhe kjo për dy arsye kryesore: a) Lidhja e drejtpërdrejtë e kërkimit shkencor me proçesin e mësimit; b) Integrimi i kërkimit me një institucion që është më afër tregut të punës së cilido tjetër.
Nga ana tjetër, kërkimi shkencor nuk mund e nuk duhet të bëjë pa komunikimin shkencor. “Komunikimi shkencor është term, i cili përdoret për të shpjeguar mënyrën se si hulumtuesit/kërkuesit mbasi kanë bërë kërkime, i publikojnë dhe i shpërndajnë rezultatet e hulumtimeve/kërkimeve të tyre, për t’i vënë në dispozicion të kolegëve të tyre, hulumtuesve të tjerë, komunitetit akademik dhe arsimor, madje edhe më gjerë. Por, ky proçes përfshin edhe të drejtat e autorit, proçesin e shqyrtimit të artikujve nga departamentet, kolegët, burimet ekonomike të universiteteve, modelet e reja të publikimit (si qasja e hapur, (open access) dhe depot institucionale), të drejtën për qasje në projektet e financuara nga qeveria, si dhe ruajtjen e aseteve intelektuale.
Puna kërkimore dhe bibliometria
Puna kërkimore konkretizohet me botimet shkencore të botuara dhe në cilat revista prestigjoze janë botuar. Por, për të matur këto output-e hyn në lojë bibliometria. Bibliometria në ditët e sotme, po merr një rëndësi gjithmonë e më të madhe dhe kjo falë zhvillimit të teknologjive moderne të informacionit si edhe politikave gjithmonë e më angazhuese për kërkimin shkencor.
Duke qenë se është një metodë sasiore dhe cilësore, që mbështetet në përllogaritjen e botimeve si dhe të elementeve të nxjerra nga bibliografitë, bibliometria bëhet jo vetëm garante e rezultateve objektive të këtyre përllogaritjeve, por sidomos një mjet shumë i efektshëm për vlerësimin e kërkimit shkencor, pasi qëllimi kryesor i saj është të “gjurmojë” sasinë dhe cilësinë e botimeve të autorëve të ndryshëm në një fushë të caktuar të kërkimit shkencor. Duhet theksuar se bibliometria ia detyron rëndësinë e saj sidomos analizës së citimeve, i cili është një mjet që rendit të gjitha referimet bibliografike që gjenden në një trup dokumentesh të përzgjedhur duke lidhur çdo botim me citimet që i janë bërë atij botimi.
Treguesi më i njohur bibliometrik është Impakt Faktori, (IF), i cili jepet nga raporti midis numrit të citimeve të marra gjatë një viti të caktuar nga një artikull i botuar nga revistat gjatë dy viteve të fundit, si edhe nga totali i artikujve të botuar në revistë gjatë dy viteve të fundit të marra në analizë.
Vlerësimi i botimeve shkencore është një strategji që qeveritë dhe universitete të vendeve të ndryshme në botë e përdorin jo vetëm për të matur vlerat dhe meritat akademike të docentëve apo punonjësve shkencore, por sidomos në ndarjen e fondeve të përcaktuara për kërkimin shkencor.
Domosdoshmëria për të matur veprimtarinë shkencore të një institucioni, duke përllogaritur punimet shkencore të botuara, solli detyrimisht edhe lindjen e treguesve për revistat që botojnë këto punime shkencore. Pikërisht këta tregues përdoren nga bibliometria (aspak ose fare pak e njohur në Shqipëri), për të vlerësuar nga ana sasiore dhe me anë të modeleve matematikore dhe statistikore, prodhimtarinë e dokumenteve, përdorimin e tyre, peshën ose faktorin e impaktit në shoqëri dhe në komunitetin shkencor.
Kriteret e vlerësimit shkencor të universiteteve
Çfarë kriteri duhet të përdorin Universitetet për vlerësimin e kërkimit shkencor e konkretizuar kjo në botime, artikuj shkencorë, dizertacione etj?
Ai më kryesori është origjinaliteti, risija, metodologjia dhe rëndësia që këto botime i sjellin komunitetit shkencor dhe vendit përkatës, por të gjitha këto së bashku lidhen edhe me faktin se sa ndikim kanë këto botime në komuntetin shkencor vendas dhe ndërkombëtar.
Për të vlerësuar impaktin në komunitetin ndërkombëtar hyn në lojë banka e të dhënave bibliografike botërisht të njohura si Web of Science, Scopus, ISI, Hirch index.
Në vendin tonë së pari duhet të jenë bibliotekat universitare ato duhet të krijojnë bazën e të dhënave të botimeve të profesoratit.
Bibliometria lindi si një metodë efikase për të vlerësuar universitetet dhe fushat e kërkimit, por edhe për bibliotekat universitare, të cilat janë pjesë thelbësore e universiteteve. Për këtë arsye sot në botë bibliometria përkufizohet si një metodë kërkimi në fushën e shkencës së informacionit dhe bibliotekave, (në vendin tonë vazhdon të quhet bibliotekëekonomi), pasi të dhënat që nxirren nga analiza bibliometrike lidhen në proçes zinxhir me politikën e përzgjedhjes, blerjes, qasjes dhe përdorimit të koleksioneve bibliografike, si edhe për heqjen e asaj literature që nuk përdoret më, për arsye të ndryshme.
Bibliometria si qëllim kryesor ka analizimin e koleksioneve bibliografike dhe të shërbimeve bibliografike për të nxjerrë lidhjen sasiore midis dokumenteve dhe elementëve që i përbëjnë (fjalët, citimet, autorët, institucionet, etj), e lidhur ngushtë kjo me disiplinat përkatëse.
Në studimin tim me temë: “Krahasimi i botimeve shkencore në universitetet teknike publike dhe private në Shqipëri”, duke përdorur metodën bibliometrike, u analizuan artikujt shkencorë të botuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe tre universitete private të të njëtit profil, nga viti 2008-2013. Të dhënat u morën nga Web of Science (Thomson Reuters), http://isiknowledge.com.
U analizuan artikujt shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, të botuara këto të fundit në revista të ndryshme shkencore, të huaja, në bazë departamentesh, fakultetesh, artikujt me një, dy, tre dhe me më shumë autorë, si edhe revistat ku janë botuar.
Rezultatet: Nga vitit 2008-2013 Universiteti Politeknik kishte 55 artikuj në gjuhën shqipe dhe me abstrakt në anglisht, nga të cilët vetëm 10 prej tyre me një autor, pjesa tjetër janë me tre ose 4 autorë. Fakultetet më prodhimtare Inxhinieria e Teknologjisë së Informacionit dhe Inxhinieria Elektrike, me nga 15 artikuj secila. Përsa i takon departamenteve, ai i elektronikës dhe telekomunikacionit si dhe ai i sistemeve elektrike të fuqisë. Ajo që bie në sy është numri i artikujve të botuar në revistat e huaja, 120, nga të cilët vetëm 6 me një autor, të tjerët janë me më shumë se gjashtë autorë. Mungesa e fondeve, i ka detyruar profesorët të gjejnë vetë financime dhe bashkëpunime sidomos me profesorë të huaj, gjë që ul edhe kostot e botimeve.
Nga studimi ka dalë, se në artikujt me bashkëautorë shumica e tyre janë të huaj. Studimi tregon se 96,5% e artikujve realizohen me bashkëautorë të huaj, vetëm 3,5% realizohet me financimin e vetë profesorëve. Pozitive është bashkëpunimi ndërkombëtar, sepse natyra e universiteteve është edhe ndërkombëtarizimi, pasi universitetet prodhojnë njohuri dhe njohuritë janë globale. Adams1) thotë se proçesi ndërkombëtar i hulumtimit është në rritje në të gjitha vendet. Pečlin2), thotë se shkencëtarët e vendeve periferike janë të gatshëm të bashkëpunojnë që të kenë qasje në burime Ndërsa Juzniç3), shprehet se gjatë njëzetë e pesë viteve të fundit, bashkëpunimi ndërkombëtar si pjesë e output-eve të hulumtimeve globale është trefishuar, duke u bërë gjithmonë e më i rëndësishëm.
Pra, për ato burime që nuk ofrohen nga universitetet, deleguar kjo fakulteteve përkatëse, profesorët shqiptarë gjejnë burime alternative, si për të dhënë informacion mbi punën e tyre shkencore, ashtu edhe për të thithur risitë në shkencë. Përsa i takon citimeve të artikujve shkencorë të botuar nga profesorët e UPT, për periudhën e lartpërmendur, treguesi është zero. Përsa i takon revistave ku janë botuar, vetëm 2% e tyre bën pjesë në elitën e revistave shkencore.
Kur duam të vlerësojmë universitetet…
Duhet vlerësuar maksimalisht angazhimi i qeverisë aktuale dhe ministrisë së linjës për vlerësimin e universiteteve publike edhe private. Por kriteret e këtij vlerësimi nuk kanë qënë tërësisht shkencore. Edhe studiues të tjerë kanë vërejtur se “procesi i akreditimit, me gjithë rëndësinë e vet, nuk mjafton, sepse ai grupon universitetet në brenda apo jashtë standardit, por nuk i rendit (klasifikon) ato nga pikëpamja cilësore”.
Dua të nënvizoj se renditja e universiteteve me metoda bibliometrike është një instrument i rëndësishëm për vlerësimin e nivelit të performancës së tyre. Këtu, elementët bibliometrikë, të tilla si numri i publikimeve dhe citimeve të këtyre publikimeve, luan rolin kryesor. Ky klasifikim sugjeron një thjeshtësi për vlerësimin e performancës mësimdhënëse e shkencore. Sikurse e kam përmendur më lart, ai bazohet në analizën statistikore të përdorimit të dokumenteve (download, leximin online), nëpërmjet monitorimit të logfiles-ve që gjenerohen nga web server-at.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se ka pasur një nismë nga MASH për të bërë një lloj “ranking” të universiteteve me kompani të huaj, por ende e pa materializuar.
Mjaft diskutime e debate zhvillohen në botë në aspektin e përzgjedhjes së metodës së vlerësimit me “peer review” apo “tregues bibliometrikë”. Edhe në Shqipëri ka filluar të flitet për këto metoda. Do mendoja se për një përmirësim substancial të vendim-marrjes në mësimdhënie e kërkim, procedurat e vlerësimit me “peer review” duhet të përdoren paralelisht me treguesit e avancuar bibliometrikë. Mendimi i specialistëve është unik: Kombinimi i kërkimit operacional me teknikën e sofistikuar bibliometrike, do të ofronin shpresa për sisteme vlerësimi të pa kontestueshme.
Sipas mendimit tim, procedura me “peer review” duhet të mbetet procesi i parë i vlerësimit të kërkimit, ndërsa treguesit bibliometrikë duhet të veprojnë si instrumente mbështetës për ta bërë më objektiv dhe transparent procesin.
Renditja krijon mundësi për analiza krahasuese ndërmjet universiteteve, fakulteteve, departamenteve dhe bën të matshëm progresin e tyre, në raport me universitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, duke nxitur cilësinë.
Nga ana tjetër, vlerësimi i treguesve bibliometrikë (citimi nëpërmjet klikimeve) në procesin e klasifikimit të universiteteve do të kërkonte ngritjen e një sistemi, i cili do bënte të mundur shkëmbimin e informacionit e njohurive shkencore online. Kjo do të bënte domosdoshmërish eficient publikimin online (eLibrary) për transferimin e njohurive e të informacionit shkencor, duke mundësuar dhe lidhjen me sistemet e tjera ndërkombëtare. Kjo ndërmarrje do të nxiste citimet e literaturës shqiptare edhe nga studiues ndërkombëtarë.
*) Doktorante, Instituti i Shkencave të Informacionit
Universiteti i Ljubljanës, Slloveni
_______________________________________________________
1)Dr Jonathan Adams, Drejtor i Vlerësimit Shkencor për Thomson Reuters.
2)PhD. Stojan Pečlin, Hulumtues në Agjensinë Sllovene të Kërkimit
3)PhD. Primož Južnič Shef i Departamentit të Informacionit dhe Shkencës në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Ljubljanës.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)