Një 42-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane është ndaluar në Portin e Durrësit teksa tentonte të hynte në Shqipëri duke përdorur 5 identitete për të shmangur identifikimin.

Gjatë kontrolleve në pikën kufitare, policia konstatoi se personi Armando Valchizan përdorte edhe emrat Armando Dervishi, Armando Gheorghe, Altin Dervishi dhe Martin Dervishi.

Nga verifikimet rezultoi se ai ishte në kërkim nga autoritetet italiane. Gjykata e Pordenones e ka dënuar me 5 vjet, 9 muaj e 5 ditë burg për vjedhje me pasoja të rënda dhe për emigracion të paligjshëm.

42-vjeçari u ndalua me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Ndërkohë Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të përfunduar procedurat e dorëzimit të tij te autoritetet italiane.

-------------------------------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë