Kërkohet një tabelë për te Manastiri i Shën Thanasit të Leshnicës! Duhet të pres pesë vite të tjera për “e treta e vërteta”

Kërkohet një tabelë për te Manastiri i Shën Thanasit të Leshnicës! Duhet të pres pesë vite të tjera për “e treta e vërteta”

Manastiri i Leshnicës së Sipërme

Në 2019, si çdo vit, isha në Sarandë, qytet që e dua shumë. Me disa miq donim të vizitonim Manastirin e Leshnicës. GoogleMaps thoshte se rruga nga Saranda në Leshnicë është 38 km e do 75 minuta. U nisëm me makinën time, veturë e ulët e pas 1 orë rrugë, vetura e ulët me 5 vetë brenda kishte marrë goditje nga gurët e mëdhenj poshtë. Arritëm pranë një ndërtese ku porta e madhe hekuri lexonte ‘rrezik.’ Ishte tetor dhe kishte filluar të errësohej. Rruga vazhdonte me një malore të fortë dhe nuk dihej edhe sa na duhej për të arritur; GPS nuk punonte më. Me konsensus u kthyem. S’më erdhi mirë që s’arrita dot, por nuk kishim zgjidhje.

Në gusht 2024, pas 1 jave plazh e diell, gjithnjë në Sarandë, vizituam Manastirin e Ksamilit, tek plazhi i famshëm i Manastirit, ku roja, i vendosur aty pranë pas vitit 1990 nga Salaria, na shoqëronte me mirësjellje dhe na tregonte pak histori (se aty tabelë informuese s’kishte, veç një pllakë për punimet restauruese të një shoqate greke në 1999)

Mendova të provonim edhe një herë Leshnicën. Im bir, i cili tani vendos për rrugën, destinacionin, vaktet, thuajse çdo gjë kërkoi në Google. Rruga kalonte në Qafën e Muzinës thuajse deri në Jorgucat. E morëm, me shpresën se këtë herë do t’ia dilnim. Në Jorgucat, pasi GPS na njoftoi se kishim arritur, na drejtoi për në Bularat. Morëm rrugën dhe pasi kaluam Bularatin, GPS na udhëzonte të merrnim një shteg të vetmuar, ku sipas barishteve të rrugës, makina e fundit duhet të kish kaluar përpara disa muajsh. Familja nuk ndihej e sigurt të merrnim atë rrugë aq të braktisur dhe u kthyem (me një ndalesë të mrekullueshme tek Sedati në Libohovë).

Afër Mesopotamit i thashë djalit të kërkonte sërish Leshnicën. Rruga ishte prapë shtegu i 2019. Këtë herë, me makinë të lartë, nuk duhej të ishte problem e sipas GPS, na duhej 1 orë për të arritur. E kisha kërkuar në Google disa herë Leshnicën dhe kisha parë lajme që Manastiri i Leshnicës ishte dëmtuar se i kishte rënë çatia, ishte rehabilituar por kish shfaqur prapë probleme. Fotot online të tregonin mure të mrekullueshme plot ngjyra që të luteshin t’i vizitoje. Në të dalë të rrugës që të çon në Qafë Botë, ndodhet kjo tabelë që shënon gjithë sitet e trashëgimisë që mund të vizitosh.

Pas asfaltit të fshatit Dhivër, pas shtigjet të ashpra por të bukura sa s’bëhet, arritëm në Leshnicë të Sipërme. Një vendali i kthyer pas shumë viteve në Janinë kishte hapur një kafene ku çdo foto, flamur, tabelë e reklamë të bënte të mendoje se nuk ishe në Shqipëri; na tregoi Kishën e Shën Gjergjit

 

1724068026_kishaeshengjergjit.jpg

Foto: Kisha e Shën Gjergjit, Leshnicë e Sipërme  

Kur e pyeta për Manastirin, më tha është rrugës për në Leshnicën e Poshtme.

“I thashë atyre të institutit (të monumenteve), vini një tabelë se nuk kushton dhe drejton njerëzit. Më thanë, patjetër, por siç e shihni, asgjë,” na tregoi.

Pasi pimë ujë të freskët burimi, morëm rrugën në kthim. Nuk kishim parë ndonjë tabelë kur kishim ardhur por nga përshkrimi, tingëllonte e lehtë ta gjeje manastirin. U këmbyem me një makinë, drejtuesi i së cilës na tha se e kishim kaluar. U kthyem pesë minuta dhe u ngjitëm në një breg jo të lartë, ku ndodhej një kishë pranë varrezave. Nuk ishte manastiri. Morëm rrugën, u këmbyem me një makinë tjetër me dy burra që na shihnin vëngër dhe pasi na pyetën mos ishim nga “ministria,” na thanë edhe ata se e kishim kaluar.

1724068250_kishaeshengjergjit.jpg

Foto: Kisha e Shën Gjergjit, Leshnicë e Sipërme  

I tregova që ishim tek kisha pranë varrezave por këmbëngulnin se ai ishte manastiri, një ndërtesë me gurë nga jashtë, por me mure të bardha nga brenda. I tregova që ishim atje dhe nuk ishte manastiri. Pasi ramë dakord të mos ishim dakord, morëm rrugën për në Leshnicën e Poshtme, pranë së cilës duhej të ishte Manastiri. Nuk gjetëm asnjë tabelë që të na tregonte pranë kujt fshati ishim, ku ishte manastiri, ku ishte ura e Leshnicës, etj, etj. Hasëm një plak me shkop që shoqëronte delet. E kaluat, tha, edhe ai. Mendoja se ishim pranë, por familja, me errësirën që afrohej, këmbënguli se duhej të arrinim me ditë në Sarandë. Nuk më besohej që edhe pas një përpjekjeje të dytë nuk e gjeta dot Manastirin e Shën Thanasit të Leshnicës.

Nuk gjeta dot as edhe një tabelë të vetme që të më drejtonte për atje, veç asaj në fillimin e rrugës. Ndoshta duhet e treta e vërteta. Ose ndoshta nuk i ka ardhur radha për pak vëmendje. Ose ose, ndoshta ka diçka për të fshehur. /Gazeta "Si"/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave