SHKODER - Ky kompleks është qendra muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël, në Shkodër, që mban statusin monument kulture, që nga viti 2012. Projektuar dhe ndërtuar nga vetë Mjeda, pjesë e kompleksit është shtëpia e banimit të poetit, ndërtuar në 1907, kur Mjeda u shpërngul në Kukël për ta kthyer këtë zonë nga një zonë moçalore në një zonë të jetueshme, kisha e vitit 1913, me një stil neoklasik të projektuar nga vetë ai, si dhe kjo godinë po e vitit 1913.
Godina, edhe pse është pjesë e kompleksit, nuk është pjesë e qendrës muzeore, ku bëjnë pjesa kisha dhe shtëpia e Mjedës, ndaj një nismë e ndërmarë së fundmi nga qendra “Art Kontakt” kërkon rehabilitimin e saj.
“Godina është në gjendje jo të mirë, ka probleme me pjesën e çatisë dhe nisma jonë këtë synon: rehabilitimin fillimisht të çatisë, pastaj të interierit, për ta bërë të mundur, për ta rikthyer këtë godinë në një hapësirë për komunitetin. Godina gjatë viteve të komunizmit ka shpërthyer si godinë ushtarake dhe si hapësirë për të mbledhur drithin, grurin dhe produktet e zonës. Tani është në gjendje jofunksionale dhe përdoret thjesht si depo për disa materiale për të ndihmuar pjesën e qendrës muzeore.”, - thotë Inesa Sulaj, eksperte muzeologjie.
Me rehabilitimin synohet dhe plotësimi në njëfarë mënyre edhe i vetë vullnetit të Mjedës, i cili donte të rijetëzonte këtë zonë.
“Tani kur komuniteti është duke emigruar, duke u larguar dhe fshati ka vetëm 150 banorë, ne ndërmorrëm këtë nismë, për të bërë të mundur që këtë hapësirë ta kthejmë për zonjat e komunitetit, për të prodhuar jo vetëm produkte artizanale punëdore, por edhe për atë çfarë ofron zona: lëngun e shegës, produkte të ndryshme lokale…”, - shpjegon Sulaj për "Report TV".
Godina do të shërbejë edhe si hapësirë për të zhvilluar aktivitete kulturore dhe ekspozita, që lidhen me figurën e Mjedës dhe jo vetëm. “Art Kontakt” ka hapur edhe një thirrje për kontribute në “whydonate.com”. Rehabilitimi i çatisë kushton rreth 25 mijë Euro dhe dhurimi për këtë qëllim mund të bëhet deri në fund të shkurtit.