Është përkujtuar këtë të premte, 87 vjetori i vdekjes së Hasan Prishtinës, ish kryeministrit të Shqipërisë në 1921. Aktualisht eshtrat e “Heroit të Popullit” ndodhen në qytetin e Kukësit, por kërkohet që ai të prehet në Vushtri të Kosovës, në vendlindjen e tij.
Kryetari i komunës së Vushtrisë, Xhafer Tahiri, së bashku me kryebashkiakun e Kuksit Safet Gjici, gjatë homazheve në varrin e Hasan Prishtines, thanë se po bashkëpunojnë me të gjitha institucionet për lëvizjen e eshtrave, por sipas tyre, do jetë familja ajo që do të vendosë.
“Dëshira e familjarëve është vendimtare në këtë rast. Prandaj dhe ne ftojmë familjarët që të shprehin këtë dëshirë dhe të kthejnë eshtrat e Hasan Prishtinës në Vushtrri. Në Kosovë atje ku kanë vendin” tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
“Familjarët e Heroit të Kombit kanë shpreh dëshirë që eshtrat të rrinë në Kukës. Dhe nëse ndodh që ata kanë këtë dëshirë, natyrisht Hasan Prishtina e ka vendin këtu ku eshtë. Nëse familjarët e Hasan Prishtinë që të lëvizin eshtrat dhe të shkojnë në vendlindjen e tij, qeveritë qendrore pastaj do komunikojnë”, tha kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici.
Hasan Prishtina, lindi në vitin 1873, ndërsa vdiq në 13 gusht të 1933 në Selanik të Greqisë, pasi u vra. Ai ishte veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare, tre herë deputet në Kosovë , në Parlamentin e Perandorisë Osmane dhe më pas deputet i Kosovës në Parlamentin e Shqipërisë.
Që nga viti 1977 me një vendim të qeverisë së Shqipërisë, eshtrat e tij, u sollën nga Selaniku në Kukës dhe aktualisht qëndrojnë në varrezat e dëshmorëve.