Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të lehtë sigurie.
Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se kërkesa e Metës nuk është pranuar për shkak të heqjes dorë të avokatëve të tij nga shqyrtimi i kësaj kërkese.
Po ashtu në njoftim thuhet se Meta mund të bëjë ankimim të këtij vendimi përmes përfaqësuesve të tij ligjorë brenda pesë ditëve, duke filluar nga dita e nesërme.
Meta ka depozituar rekurs edhe në Gjykatën e Lartë, ku ankimoi një vendim të mëparshëm të Apelit të GJKKO-së që e la në qeli.
Meta ka argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim. Kreu i PL-së pretendon se masa ‘arrest me burg’ është e pajustifikuar dhe jo-proporcionale në raport me rrethanat e çështjes.
Kujtojmë se Meta është në qelinë e paraburgimit 313 në Tiranë që prej tetorit 2024.
Ish-presidenti i Shqipërisë po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Tashmë SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta gjithmonë i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij ka motive të qarta politike.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Ilir Metaj me datë 02.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112 dhe 471, pika 5 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 200, datë 06.03.2026, vendosi:
1. Deklarimin e papranueshëm të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ilir Metaj, regjistruar me nr. 200 regj.themeltar, datë 02.03.2026, me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”, për shkak të heqjes dorë të përfaqësuesëve ligjorë të kërkuesit nga shqyrtimi i kësaj kërkese.
2. Shpenzimet gjyqësore siç janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 06.03.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Komente











