Deputetet socialiste do t'i kërkojnë Kuvendit adoptimin e një Rezolute të Forumit të Gruas të Pative Popullore Europian të datës 8-9 Dhjetor 2025 mbi Përballjen me Dhunën kundër Grave në Politikë dhe Jetën Publike të rishpërndarë mbrëmë nga Zyra e Shtypit të Partisë Demokratike, pasi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i tha në parlament deputetes Albana Vokshi “për ty kemi numrin 0900”.

Kjo frazë e Ballës ndaj deputetes demokrate shkaktoi reagime të dhunshme nga grupi parlamentar i PD në Kuvend, të cilët pretendonin se socialisti përdori gjuhë fyese, ofenduese dhe seksiste ndaj Vokshit.

Ligjvënësja Evis Kushi, e cila njoftoi nismën e deputeteve socialiste për të adoptuar në Kuvend rezolutën e organizatës së partive politike të djathta në Europë, thotë se Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, janë shkelësit më të mëdhenj të rezolutës.

Postimi i plotë i deputetes Evis Kushi:

Referuar një Rezolute të EPP Ëomen të datës 8-9 Dhjetor 2025 mbi “Përballjen me Dhunën kundër Grave në Politikë dhe Jetën Publike” të rishpërndarë mbrëmë nga Zyra e Shtypit të Partisë Demokratike, ne vajzat dhe gratë deputete të Partisë Socialiste deklarojmë sa më poshtë:

- Mbështesim këtë rezolutë të tre muajve më parë dhe mesazhet e saj të qarta në mbrojtje të grave në politikë dhe jetën publike, duke shprehur habinë se një forcë anëtare e EPP si Partia Demokratike, sidomos përmes dy udhëheqësve të saj kryesorë po jo vetëm, e dhunon sistematikisht frymën e kësaj rezolute.

- Dhuna verbale me bazë gjinore dhe gjuha joparlamentare e diskriminuese nuk duhet të ketë vend në Kuvend dhe jetën publike, prandaj bëjmë thirrje që mesazhet e kësaj rezolute të Partisë Popullore Europiane të respektohen edhe nga Kryetari i simotrës shqiptare të EPP, Sali Berisha, i cili me sulmet e tij tepër të ulta fyese, diskriminuese dhe shpifëse në foltoren e parlamentit turpëron veten, familjen, vendin, partinë e tij dhe vetë EPP.

- ⁠E njëjta gjë vlen edhe për fyerjet dhe gjuhën e ulët diskriminuese të përdorur nga Kryetari i i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili i drejtohet grave dhe vajzave të Partisë Socialiste me terma që turpërojnë atë, familjen, vendin, partinë e tij dhe vetë EPP.

- ⁠Të bindura në vlerën përtej kufijve partiakë të rezolutës së EPP, ne do t’i propozojmë Kuvendit adoptimin e saj me pikë e me presje dhe urojmë që kolegët e simotrës së EPP të na bashkohen jo vetëm me vota, po edhe me vepra në respektimin e mesazheve të saj.

- ⁠Falënderojmë EPP dhe shprehim gatishmërinë tonë që të bashkëpunojmë edhe me të për çdo hap përpara në mbrojtjen e grave, duke qenë gjithashtu të gatshme të ndajmë edhe eksperiencat e bukura pozitive të Shqipërisë në këtë aspekt, falë politikave gjinore të Partisë Socialiste dhe lidershipit të kryeministrit Edi Rama.