Kërkesa e Naureda Llagamit, që të anulohej përzgjedhja e Asim Vokshit si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese, u rrëzua, pasi kjo gjykatë, nuk arriti të dilte me një vendim për mungesë kuorumi. Për gjyqtarin Vokshi nuk ka më asnjë pengesë, që të nisë detyrën si anëtari më i ri i Kushtetueses.
Beteja disa javore e Naureda Llagamit për të marrë një vend në Gjykatën Kushtetuese, përfundoi këtë të mërkurë. Vetë Gjykata njoftoi se për rastin e saj, trupa e gjykatësve ishte ndarë, dhe për pasojë nuk ishte arritur kuorumi I nevojshëm.
Që Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim, duhet që ai të marrë të paktën 5 vota. Aktualisht Gjykata ka 8 anetarë, ndërsa në rastin e çështjes së Llagamit, pjesë ishin vetëm 7 pasi Holta Zaçaj u la jashtë pas një kërkese të Gjykatës së lartë për përjashttimin e saj nga procesi.
Llagami kërkonte që vendimi i Gjykatës së Lartë e cila emëroi Asim Vokshin si anëtar të Kushtetueses, të anulohej dhe që ajo të shpallej fituese, duke pretenduar se një votë ishte shpallur pa të drejtë e pavlefshme në procesin e votimit.
Gjykata Kushtetuese pranoi se kishte juridiksion për të shqyrtuar çështjen, por më pas gjyqtarët nuk arritën shumicën e nevojshme të votave për ta pranuar kërkesën e saj. Për këtë arsye, sipas ligjit, kërkesa u konsiderua e rrëzuar.
Gjyqtarët u ndanë në dy grupe opinionesh. Sipas një pjese gjyqtarësh, Llagami nuk legjitimohej ta çonte çështjen në Kushtetuese si individ, pasi e drejta për t’u zgjedhur gjyqtar i kësaj gjykate nuk është një e drejtë themelore e mbrojtur nga Kushtetuta.
Ndërsa sipas mendimit tjetër, individët që garojnë për funksionet e parashikuara në Kushtetutë legjitimohen t`i drejtohen Gjykatës për kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes, për sa kohë janë pjesë e atij procesi.
Procesi nisi në dhjetor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Lartë, nën drejtimin e kryetarit Sokol Sadushi, shpalli vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. Një akt I cili çoi në përplasje mes dy institucioneve. Zaçaj, njëkohësisht dhe kryetare e Kushtetueses, pretendonte se mandati i saj mbaronte në fund të vitit 2025. Ajo u tërhoq më pas nga qëndrimi I saj dhe vetë gjykata njohu përfundimin e mandatit të saj.
Në garën për vendin e lënë bosh prej Zaçajt, garuan deri në momentin e fundit, Naureda Llagami dhe Asim Vokshi. Pasi Llagami nuk arriti të siguronte 9 votat e nevojshme Asim Vokshi, u shpall automatikisht si kandidatura e përzgjedhur, duke qenë se në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai ishte renditur i pari.
Gjyqtari Vokshi, u vu ditët e fundit në shenjestër të sulmeve sipas të cilave KED, kishte anashkaluar një informacion të klasifikuar, që ngrinte dyshime se ai mund të ishte agjent i shërbimeve sekrete. Vokshi, por dhe KED i hodhën poshtë akuzat, ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve foli për sulme personale dhe denigrime që cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Pas vendimit të sotëm, presidenti Bajram Begaj nuk mund të mbajë më pezull betimin e Vokshit, akt i cili do të shënonte dhe nisjen e mënjehershme të detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Komente











