FIER- Pas afro 16 muaj në qeli, Fredi Beleri ka fituar lirinë! Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e avokatit, pas tri seancash të dështuara, ku Beleri kërkonte lirimin me kusht, me argumentin se ka kryer dy të tretat e dënimit (2/3). Gjyqtari, Alfred Konomi, shqyrtoi provat dhe vendosi për lirimin e tij.

“E pranoi kërkesën gjykata, urdhëroi lirimin para kohe, i mbeteshin  edhe 6 javë, respekte për gjykatën, lirimi para kohe me kusht”, tha avokati i Belerit. 

Avokati i Belerit, pasi përgëzoi gjykatën nuk kurseu ironinë për Kryeministrin.

“Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”, tha avokati i Belerit, Genci Gjyzari.

Teksa la qelinë e burgut të Fierit, Fredi Beleri deklaroi se zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë, janë të paligjshme dhe se do të kandidojë sërish nese gjen drejtesi ne Strasburg.

"Unë jam fitues i zgjedhjeve në Himarë, zgjedhjet që u mbajtën janë të paligjshme. Do ngre zërin në PE për padrejtësitë që bëhen në Shqipëri. Dekreti i Begajt i paligjshëm, shteti intimidoi votuesit. Do flas me Tavon nëse do punojë për Himarën, do qëndroj në Athinë e Bruksel. Çështjen e çoj në Strassburg, nëse më nxjerr të pafajshëm do kandidoj sërish për Himarën", tha Beleri. 

Athina zyrtare reagoi me tone pozitive për lirimin e Fredi Belerit. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis përshëndeti lirimin e tij nga drejtësia shqiptare, duke theksuar se megjithatë “Athina nuk e harron atë që ndodhi”. Lirimi i Belerit u cilësua si zhvillim pozitiv edhe nga ministri i Jashtëm grek, Gerapetritis.

Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota. Beleri u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi me dy vite burg u konfirmua në Apel.

Edhe pse në qeli, Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli mandatin të pavlefshëm. Për shkak të denimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak i Himares.

Teksa vuante denimin në Shqipëri, Fredi Beleri mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe në qershor të këtij viti u zgjodh eurodeputet nën siglën e “Demokracia e Re”, të kryeministrit Mitsotakis. Në korrik Beleri u betua në Strasburg me lejen e autoriteteve shqiptare.  Ndersa me 4 gusht u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme ne Himare, ku fitoi socialisti Vangjel Tavo.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:51
VIDEOLAJM/ ‘Festë’ në Himarë për lirimin e Fredi Belerit, militantët e presin me flakadanë

Pas lirimit nga burgu, Fredi Beleri ka shkuar në Himarë. Ai është pritur nga dhjetëra militantë.

Report Tv sjell pamjet e krijuara në Himarë, ku militantët kanë ndezur edhe flakadanë në pritje të Belerit.

Ora 10:44
Pamjet/ Seanca e Fredi Belerit, ja si presin gazetarët grekë vendimin para Gjykatës së Fierit

Teksa në ambientet e brendshme të Gjykatës së Fierit po zhvillohet seanca deçizive për fatin e dënimit të mbetur të ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, jashtë presin jo vetëm mediat shqiptare të interesuara rreth raportimit të çështjes në fjalë, por edhe ato të vendit fqinj, Greqisë.

Këto janë pamjet se si një ekip gazetarësh grekë të televizionit ERT presin para godinës vendimin që do marrë trupa gjykuese, pasi të dëgjojë konkluzionet e palës mbrojtëse, që kërkon lirimin e parakohshëm me kusht të Belerit, për dënimin e mbetur.

Të grupuar rreth një kamera me stativ dhe me sytë nga Gjykata, gazetarët duken të interesuar dhe të vëmendshëm, në pritje të sinjalizimeve për informacion nga brenda prej avokatit të ish-kryebashkiakut minoritar.

Dy seancat e para janë shtyrë për arsye të ndryshme. Beleri është dënuar me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor nga Apeli i GJKKO me formë të prerë, gjë që bëri të humbte dhe mandatin. Ai u arrestua më 12 Maj 2023 dhe i kanë mbetur pak javë izolim.