ELBASAN- Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili po vuan dënimin në burgun e Lushnjës ka kërkuar “Llogaritjen e vuajtjes së dënimit”, ndërsa sot është çelur seanca. Ish-ministri i Brendshëm pretendon se ka shlyer një pjesë të dënimit të dhënë më 19 shtator të 2019.
Seanca u zhvillua në Gjykata e Elbasanit, e cila ka nën juridiksion burgun e Lushnjës, ku Tahiri po vuan dënimin me tre vite e katër muaj burg.
Seanca u shty pasi prokurori i çështjes kërkoi kohë për t’u njohur me aktet voluminozë të dosjes. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit edhe me dakordësi të palëve dhe caktoi datën 20 mars për seancën e radhës.

Në seancë mori pjesë vetëm avokati i tij, Maksim Haxhia. Ai i kërkon gjykatës të njohë kohën, kur ka qenë në shërbim prove. Nëse kjo kërkesë pranohet nga gjykata, Saimir Tahirit do t’i ulet dënimi me 1 vit e 6 muaj.
Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal".
M.Q./Shqiptarja.comKomente

