Gjithçka nisi gjatë uljes së avionit të fluturimit TK1853 të Turkish Airlines nga Stambolli drejt Barcelonës.
Një pasagjer krijoi në bord një pikë personale interneti Ëi-Fi, duke i vendosur rrjetit një emër që përmbante një kërcënim për bombë.
Ky veprim u identifikua menjëherë nga sistemi i avionit dhe shumë shpejt aktivizoi protokollet e sigurisë ajrore. Ekuipazhi njoftoi autoritetet në aeroportin e Barcelonës ku u ndoqën procedurat standarde të sigurisë për raste të tilla.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në Barcelonë. Sipas mediave spanjolle, dy avionë luftarakë u ngritën dhe shoqëruan atë deri në ulje si pjesë e masave të sigurisë të parashikuara në incidente të tilla.
Pas uljes, forcat e sigurisë spanjolle kryen kontrolle të plota në avion dhe ndaj pasagjerëve, në përputhje me rregullat ndërkombëtare të aviacionit.
Shefi i komunikimit në Turkish Airlines, Yahya Ustun, sqaroi se bëhej fjalë për një kërcënim të rremë dhe se masat u morën vetëm për të garantuar sigurinë e fluturimit.
Operatori spanjoll i aeroporteve, Aena, bëri të ditur se protokollet e sigurisë në aeroportin El Prat nuk ndikuan në funksionimin normal të aeroportit.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse pasagjeri do të përballet me pasoja ligjore, ndërsa rikujtojnë se edhe kërcënimet e rreme trajtohen si incidente serioze sigurie.
Komente









