TEL AVIV, 25 korrik /ATSH-ANSA/ - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u ka dorëzuar izraelitëve dhe palestinezëve një draft për armëpushim për konfliktin në Gaza. Media të ndryshme raportuan se teksti si hap të parë parashikon një armëpushim të përkohshëm për një javë, që mund të fillojë që nga e diela e ardhshme. Gjatë kësaj periudhe, palët, falë ndërmjetësimit ndërkombëtar do të fillojnë të negociojnë për një marrëveshje të qëndrueshme për pikat e sigurisë, ato ekonomike dhe politike. Ndër pikat e parashtruara nga Kerry dhe që përfshin pjesëmarrjen aktive të Autoritetit Palestinez është se gjatë armëpushimit forcat izraelite nuk do të largohen të gjitha nga Rripi i Gazës. Kjo do të jetë dhe një nga temat më të kontestuara nga palestinezët. Gjatë armëpushimit njëjavor, palët do të takohen në Kajro për të diskutuar me ndërmjetësimin egjiptian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do t'u garantojnë palëve se negociatat do të mbulojnë tema thelbësore. Për Izraelin tema kryesore do të jetë largimi i raketave në Gaza dhe tunelet, ndërsa për Hamasin rindërtimi i Gazës./ /l.q/ a.jor.