Akti më i rëndësishëm ekonomik i Bashkisë së Tiranës, buxheti për vitin 2026 me vlerë 400 milionë euro edhe pse u miratua me votat e këshilltarëve socialistë, është i mbuluar me hije dyshimi mbi legjitimitetin e tij. Në mbledhje mungoi kryetari Veliaj, i cili ndonëse kishte kërkuar të ishte prezent, SPAK ia refuzoi kërkesën.
Pak ditë më parë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj përmes një letre dërguar Këshillit theksonte se buxheti është hartuar “pa u konsultuar me të”, dhe se është “i zhveshur nga legjitimiteti”.
Pyetje mbi këtë çështje iu drejtuan kryetares së komanduar Anuela Ristani nga këshilltarët e PD-së.
"A e ka Ristani kompetencën për të firmosur, duke mos qenë kryetare e zgjedhur por e urdhëruar?”, pyeti demokrati Ilir Alimehmeti.
“Institucioni i Bashkisë së Tiranës ka për detyrë të dorëzojë buxhetin. Mendoj që çështja që ju ngrini mund të jetë shumë e drejtë, po unë nuk jam autoriteti i duhur për ta dhënë përgjigjen për këtë gjë. Do të ishte në shkelje, në qoftë se pavarësisht statusit tim, si kryetari deleguar, apo i bashkisë Tiranës”, u përgjigj Ristani.
“Pas deklaratës së kryetarit të zyrtar, i cili nuk e mbështet atë buxhet tuaj. I cili u shpreh zyrtarisht, që nuk keni vizion, ua tha në shkresë nuk jeni konsultuar në Tiranë”, tha anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak, Dorjan Teliti.
Përtej diskutimeve buxheti për vitin 2026 u miratua pa praninë e kryebashkiakut Veliaj, të cilit iu mohua pjesëmarrja nga SPAK. Buxheti kaloi pa asnjë ndryshim, madje 29 amendimet e opozitës as nuk u hodhën në votim.
“Keni 150 mln euro të pashpenzuara, a ka mundësi nga këto të marrim 90 mln euro që të financojmë 29 amendimet tona, të ulim taksat, të ulim taksën e ndikimit në infrastrukturë që të ulet edhe çmimi i banesave, të ulim shpenzimet e kota”, tha Teliti.
“Ne vërtetë kemi 60% zbatim dhe kjo dihet pse ka ndodhur, pasi duke mos lejuar kryetarin të bëjnë detyrën në mënyrë të padrejtë, dhe ata që e kanë nisur këtë proces nuk po dinë ti japin drejtim. Pasoja është 40% e buxhetit 2025 nuk është realizuar vetëm për shkak të mungesës së Veliajt, pra ka çaluar shërbimi ndaj qytetarëve”, tha këshilltari socialist Eridian Salianji.
Për vitin që vjen në buxhet është parashikuar të jepen 1500 kredi të buta për çiftet e reja, 1400 bonuse qiraje për familjet e prekura nga tërmeti dhe ata me ndihmë ekonomike, abone falas për studentët dhe pensionistët. Gjithashtu janë parashikuar investime në infrastrukturën arsimore si dhe për herë të parë 9.2 milionë euro do të shpenzohen për 12 mijë nxënës të klasave 1-5 që do kenë ushqim në shkolla. Po ashtu do të shpenzohen 29 milionë euro për të ndërtuar objekte të reja arsimore si dhe 21 milionë euro për të pastruar qytetin.
Komente









