Ekziston një kontradiktë e dukshme midis Kodit të Procedurës Penale, i cili rregullon pezullimin nga funksioni të zyrtarëve publikë, dhe situatës së një zyrtari publik që ndodhet në paraburgim. Problemi që lidhet me pezullimin u ngrit nga qeveria me rastin e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, dhe deri tani Gjykata Kushtetuese duket se i ka dhënë të drejtë mazhorancës, pasi pezulloi përkohësisht vendimin e SPAK-ut për pezullimin e Ballukut, në pritje të një vendimi në themel. Parimi i mbrojtur nga qeveria është se ministrja duhet të gëzojë të njëjtën mbrojtje që ka edhe një deputet.
Por një çështje e ngjashme ngrihet edhe për Erjon Veliajn. Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se “me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to”. Por i njëjti nen shton se “Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”. Pra, kodi parashikon se figurat e zgjedhura (si deputetët apo kryetarët e bashkive) nuk mund të pezullohen nga funksionet e tyre nga pushteti gjyqësor. Për deputetët kërkohet edhe autorizimi i parlamentit për arrestim, ndërsa për kryetarët e bashkive nuk kërkohet asnjë autorizim. Dhe pikërisht këtu qëndron kontradikta që duhet zgjidhur.
Erjon Veliaj, si kryetar bashkie i zgjedhur, nuk mund të pezullohet nga funksionet e tij, një parim ky i konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra për mosushtrimin e funksioneve të tij për më shumë se gjashtë muaj. Por ndërkohë SPAK nuk e lejon de facto ushtrimin e këtyre funksioneve, pasi ai ndodhet në paraburgim. Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Burgjeve për të autorizuar Erjon Veliajn (i cili është ende kryetar bashkie në detyrë) të marrë pjesë në seancën e këshillit ku diskutohet buxheti i vitit 2026. Deri tani, për kërkesa të ngjashme, SPAK ia ka mohuar këtë të drejtë.
Në praktikë, SPAK edhe sot duke e refuzuar kerkesa e Keshilli Bashkiake e ka penguar të ushtrojë funksionet e kryetarit të bashkisë, pavarësisht se sipas ligjit ai nuk mund të pezullohet nga detyra.
Në rastin e buxhetit, çështja bëhet edhe më delikate, pasi hartimi dhe paraqitja e tij është kompetencë ekskluzive e kryetarit të bashkisë dhe nuk mund të delegohet. Kështu, nëse Erjon Veliaj nuk mund ta ushtrojë këtë funksion, Tirana rrezikon të mbetet pa buxhet, me të gjitha pasojat që rrjedhin: duke filluar nga fakti se mosmiratimi i buxhetit çon në shpërndarjen e Këshillit Bashkiak dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Paradoksalisht, Erjon Veliaj do të mbetej në detyrë edhe nga burgu, ndërsa për Këshillin Bashkiak qytetarët do të duhet të votonin sërish.
Ashtu siç ndodhi me çështjen e Belinda Ballukut, dhe më parë me rastin e revokimit të mandatit të Erjon Veliajt, me shumë gjasa sërish do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese të zgjidhë edhe këtë enigmë. Në fakt, sot Gjykata Kushtetuese po merr gradualisht rolin e Gjykatës së Lartë, duke u treguar si organi i vetëm gjyqësor i apelimit, vërtet i pavarur nga pjesa tjetër e sistemit gjyqësor.
Komente












