Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar këtë të enjte disa vendime që lidhen me ndihmën ekonomike dhe strehimin e familjeve në nevojë, për disa kategori.
Këshilli miratoi ndihmën ekonomike për 253 familje, ndërsa nga 42 familje që kanë aplikuar pasi nuk përballojnë qiranë është miratuar subvencionimi për 32 të tilla.
Këshilli miratoi gjithashtu rritjen e vlerës maksimale të subvencionit të qirasë për tre zona të qytetit, si dhe procedura të reja për trajtimin financiar dhe monitorimin e pagesës së qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku deri më tani janë trajtuar 3,337 familje apo individë.
U miratuan procedura të përkohshme për 137 familje të cilëve u ka përfunduar afati trevjeçar i bonusit të qirasë, për shkak të projekteve publike, si dhe vendime për bonus qiraje për familjet e prekura nga projekti rrugor Thumanë-Vorë-Kashar dhe nga projekti i zhvillimit urban të shtratit të lumit Lana.
Gjithashtu, Këshilli miratoi sistemimin dhe rinovimin e kontratave për disa familje në banesat sociale me qira në Shkozë.
Komente







