TIRANË- 850 banesa individuale të rrënuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në Tiranë do të ringrihen nga e para përmes fondeve të Rindërtimit. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 250 kontrata të reja për familjet që mbetën pa strehë nga kjo fatkeqësi natyrore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siguroi të gjitha këto familje se Viti i Ri do t’i gjejë në shtëpitë e reja.
Kemi mbyllur zyrtarisht menaxhimin e krizës për tërmetin e 21 shtatorit. Kemi shlyer pagesat cash për 1800 familje që patën dëmtime nga tërmeti i shtatorit, ndërkohë janë rindërtuar 60 shtëpi, të cilat tërmeti i shtatorit i dëmtoi përtej riparimit. Mezi pres që të njëjtën gjë ta themi edhe për familjet e tërmetit të 26 nëntorit. Kemi filluar me dhënien e shtëpive të para, që janë ndërtuar përmes procesit të rindërtimit”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se në terren po ecet me ritme mjaft të shpejta çka garanton se brenda Vitit të Ri 850 familje që humbën banesat individuale nga tërmeti tragjik i Nëntorit të shkuar do marrin çelësat e shtëpive të reja.
“Do të ndihmojmë 850 familje me shtëpi individuale. Ndaj, një nga vendimet ka të bëjë me një shtesë të 250 kontratave të reja mbi ato që kemi miratuar në mbledhjen e kaluar, e cila na ndihmon që të fillojmë menjëherë punën për to. Në disa raste kontaktorët e kanë bërë shumë më shpejt sesa afati 8 javor, madje disa shtëpi kanë mbaruar për 3-4 javë, disa do ta marrin të plotë afatin 8 javor duke qenë se janë në zona më periferike rurale, ku edhe transporti bëhet me kafshë, sepse janë realisht zona të thella”, tha Veliaj.
1500 familje të dëmtuara lehtë nga tërmeti i 26 nëntorit nga 4561 në total përfituan 100% kompensim nga granti i rikonstruksionit. Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, informoi gjithashtu se ka miratuar bonusin e qirasë për 21 familje të tjera që presin të futen në shtëpitë e reja pas tërmetit të 26 Nëntorit.
“Sot kemi gati edhe 1500 dosje të reja nga granti i rikonstruksionit. Do t’ju lutesha që edhe ata të nënshkruajnë kontratat pranë njësisë së tyre dhe të shkojnë në postë, ose në bankë për të marrë paratë. Dua t’i ftoj ato familje që e kanë bërë aplikimin, por që kanë harruar të sjellin një dokument, të nxitojnë ta plotësojnë dosjen, se vetëm kështu edhe ne jemi transparentë, pasi çdo dosje duhet të ketë dokumentacionin e duhur, por në këtë mënyrë përshpejtojmë edhe pagesat”, sqaroi ai.
Kryebashkiaku siguroi të gjitha familjet e pallateve, për të cilat ende nuk është vendosur nëse do t’i nënshtrohen rikonstruksionit apo do të shemben, se së shpejti, do të merret vendimi edhe për to, pas vlerësimit përfundimtar nga ana e inxhinierëve të ndërtimit.
“Ne kemi pasur rreth 98 pallate, transparenca e të cilave është bërë në Këshillin Bashkiak nga inxhinierët. Janë rreth 6 pallate që jemi ende në diskutim, sepse presim oponencë edhe nga Instituti i Ndërtimit; 55 janë vendosur për prishje dhe do t’ju vijnë të gjitha dosjet e tyre. Pra, kemi një mal me dosje për secilin pallat për të marrë një vendim, por me prishjen e tyre do fillojë menjëherë rindërtimi në zonën e “Kombinatit” dhe në lagjen “5 Maji”, ku çdo shtëpi e re do ketë një vlerë shumë herë më të madhe sesa shtëpia që mori tërmeti”, deklaroi ndër të tjera Veliaj, duke siguruar se bonusi i qirasë nuk do ndërpritet, derisa çdo familje të ketë çelësin e shtëpisë së re.
ORE PO MIRE PO I BEN SHTEPITE E DEMTUARA NGA TERMETI,,PO PLAN URBANISTIK KE BERE ,,,APO NDERTO KUTURU ,,,SI NE KAMEZ E BATHORE....
Përgjigju