Këshilli i Evropës: Kosova mbetet jashtë agjendës së takimit

Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës takohen  sot në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, por çështja e pranimit të Kosovës në këtë mekanizëm nuk është në agjendë. Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të BE-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që së fundmi ishte vendosur edhe si kusht për Kosovën për anëtarësimin në këtë organizatë.

Mosmarrëveshje mes Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme

Një letër zotimi që Kosova e dërgoi në KiE, ku thuhet se Kosova do ta hartojë deri në fund të muajit maj një draft statut të saj  për Asociacionin nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtarë, por as edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha  se letra e dërguar në KiE nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk ishte koordinuar me të.

Në letrën e Gërvallës, thuhet mes të tjerash se "projekt statuti i frymëzuar në bazë të një propozimi të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert në janar të vitit 2023, do t'i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të muajit maj”.

Këshilltari i presidentes Bekim Kupina, thotë se presidentja "nuk e përkrah këtë letër". "Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës. Kjo letër nuk është e tillë”.

Letra e krerëve evropianë

Më datën 15 maj ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte marrë një letër nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni, të cilët kanë shprehur mbështetje për propozimin e BE-së për Asociacionin, dhe jo vetëm për zotimet e Prishtinës, pa  hapa konkretë.  "Së pari, projekt statuti i paraqitur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një "propozim xhentëlmenësh”. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë.

Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Si i tillë ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale, Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhet në letrën e tre udhëheqësve evropianë. Ne letrën e Macron, Scholz dhe Meloni, nënvizohet qartë se "ekziston rrezik real që pa përparim vendimtar për Asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

BE nuk e vlerëson dot shpejt propozimin e Kosovës

Bashkimi Evropian ndërkaq, tha të enjten vonë se e ka të pamundur ta vlerësojë tash për tash ndonjë propozim për draft statut për Asociacionin të Qeverisë së Kosovës përderisa nuk është në dijeni për përmbajtjen e tij. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se një draft i tillë duhet të diskutohet edhe me Serbinë dhe me BE si ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Peter Stano.

Kosova ka më shumë se një vit që ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas këtij raporti, "Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës”.

Por vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me konkretizimin e hapave të parë drejt themelimit të Asociacionit. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin qysh në vitin 2013. Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës konsideroi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës.DW

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:35
Donika Gërvalla konfirmon se Kosova mbetet jashtë agjendës së KiE-së

1700820714_donikagrvalla.jpg

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së nuk u mor vendim që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës.

Gërvalla tha ky qëndrim nuk është në përputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë.

Postimi i plotë: 

Në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës.

Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë. Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave.
Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara.

Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Nga opinioni i Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës që konfirmon se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim si shtet evropian, nga votimi i ambasadorëve më 24 prill 2023 me 33 vota për nga 46 sosh, nga raporti pozitiv i tre juristëve eminentë te raporti i raportueses Dora Bakoyannis, nga dy mbledhjet e Këshillit për Çështje Politike e Demokraci (në Paris me 27 mars dhe në Strasbourg më 16 prill 2024) e deri te votimi i Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024 me 131 vota për, kundrejt 29 kundër. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë.

Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën.

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dion: 17/05/2024 21:51

    Vetëm me masa te tilla mund te gdhendet idjoti Kurti dhe ata qe e përkrahin....

    Përgjigju
  • Arben: 17/05/2024 18:25

    Mire e ka Kurti! Nuk ka dashur kurre te bashkepunoje me Edi Ramen i cili ka nje aftesi marramendese ne raportet me lideret e perendimit! Edi Rama ka fuqi hipnotizuese dhe me kete ka siguruar pushtet absolut ne Shqiperi sa te jete gjalle! Eshte fatkeqesi qe Kosova nuk ka dashur ta shfrytezoje kete! Te durojne tani talljet e Serbise!

    Përgjigju
  • Pjeter: 17/05/2024 13:17

    Kjo nuk eshte surprize,e kane deklaruar shume me pare qe do ndothte kjo,Kurti ishte i informuar,prandaj dhe refuzoi gjithcka edhe per dinarin. Kosova nuk eshte faktor jostabiliteti,perkundrazi,ajo qe kercenon gjithnje eshte Serbia e Vuçiçit,dhe kjo, deri sa te jene ne politiken e jashteme te BE-se personazhe si Borrell, me origjine nga vendet qe kundershtojne fort pavarsine e Kosoves,situata nuk ka per te ndryshuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Veliaj jep shpërblimin e punonjësve të shërbimeve të Bashkisë së Tiranës, ja kategoritë që përfitojnë

Veliaj jep shpërblimin e punonjësve të shërbimeve të Bashkisë së Tiranës, ja kategoritë që përfitojnë