Këshilli i Integrimit/ Tabaku: Të mos fshihemi pas vetos së Bullgarisë! Ministrja e Jashtme: Vendi mbetet dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-RMV! Mazi: Shoqëria civile të jetë më aktive

Ndonëse miratoi raportin e kryenegociatorit Zef Mazi, kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin, Jorida Tabaku, renditi një sërë kritikash ndaj qeverisë sa i takon procesit të ingrimit teksa theksoi se nuk duhet të fshihet pas vetos bullgare.

‘Do të kisha dëshirë të fokusohemi në pushtetin lokal. Nga informacionet që kemi, në shumë prej bashkive nuk janë ngritur shtabet e integrimit. Kështu ndodh edhe në strukturat në ministri. Jam përpjekur gjatë gjithë kohës t’i ngre këto dyshime. Të gjithë kanë emëruesin e përbashkët: Vullnet politik. Ne nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë, duhet të bëjmë punën tonë këtu, të ecim përpara dhe pavarësisht një date që ndoshta nuk është në dorën tonë.’- tha Tabaku.

Përgjigjen e mori nga kryetari i grupit të PS, Talant Balla si dhe nga ministrja e jashtme Olta Xhaçka gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit.

‘Ne nuk fshihemi pas vetos së Bullgarisë sepse Bullgaria e ka bërë të qartë që nuk ka gjë me Shqipërinë!’- tha Balla.

‘Qeveria shqiptare ka vazhduar me përkushtim dhe dedikim zbatimin e programit ambicioz të reformave gjithëpërfshirëse, duke përmbushur të gjitha kërkesat nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo do të thotë se i kemi kryer të gjitha “detyrat e shtëpisë”.’- tha Xhaçka.

Kryenegociatori i Shqipërisë për Integrimin në BE, Zef Mazi tha gjatë fjalës së i bëri thirrje shoqërisë civile si dhe pushtit lokal që të jenë më aktive në procesin e integrimit drejt BE-së. Nga ana tjetër Mazi theksoi se reforma në Administratën Publike është me rëndësi të veçantë për procesin e integrimit drejt BE-së.

‘Ndihet nevoja për përfshirjen më aktive të shoqërisë civile dhe duhet edhe bashkëpunim i pushtetit lokal. Ato duhet të marrin një rol më proaktiv. Ky është një proces sfidues për të gjithë ne dhe vendin tone.’- tha Mazi.

Zyrtarët më të lartë europianë janë shprehur pro mbajtjes së konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE, por ende nuk ka një datë konkrete për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së veriut. Ndërsa qeveria shqiptare përmes këshillimi kombëtar kërkon nga opinioni publik nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e veriut në procesin integrues.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:03
Kryenegociatori Mazi: Reforma në administratën publike me rëndësi të veçantë për negociatat! Shoqëria civile dhe pushteti lokal të jenë më aktive në procesin e integrimit

Kryenegociatori i Shqipërisë për Integrimin në BE, Zef Mazi tha gjatë fjalës së tij se 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë dhe se ka mbetur vetëm miratimi formal. Mazi i bëri thirrje shoqërisë civile si dhe pushtit lokal që të jenë më aktive në procesin e integrimit drejt BE-së. Nga ana tjetër Mazi theksoi se reforma në Administratën Publike është me rëndësi të veçantë për procesin e integrimit drejt BE-së.

‘Ndërveprimi mes aktorëve është domosdoshmëri. Unë raportova tek ky këshill në tetor 2021, për ecurinë e procesit. Viti që lamë pas nuk ka qenë mjaft i mirë. Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk ju hapën negociatat. Kosovës nuk ju liberalizuan vizat, Mali i Zi u fut në një krizë qeveritare. Në dhjetor të vitit 2021, u krijua një grup i vogël negociator. Ky grup përbëhet nga 23 negociator, dhe është organi përgjegjës për procesin e integrimit. Vendimi i të gjithë ministrave, shtojnë listën e negociatorëve edhe drejtorin e përgjithshëm të departamentit të Administratës Publike. Duke marrë parasysh reformën në administratën publike, është bërë një shpërndarje më e harmonishme më e mirë e punëve. Janë realizuar një numë ri përgjithshëm vizitash në vendet e BE-së për të lobuar në përmbushjen e kritereve. Zyra ime ka vijuar të drejtojë strukturën negociatore.

Është marrë pjesë rregullisht dhe për ecurinë në procesin e integrimit. Janë ndjekur dhe adresuar të gjitha detyrimet që vijnë në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Javën që vjen do të mblidhet KSA, midis nesh dhe BE-së. Janë bërë përgatitjet dhe mendoj se jemi në një fazë të mirë përgatitore. Me porosi të veçantë të Ramës paraqes raporte javore në Këshillin e ministrave për procesin e Integrimit, dhe unë kam paraqitur deri tani 68 raporte. Janë raporte voluminoze. Duhet një koordinim i fortë midis nesh dhe delegacionit të BE-së. Do të duhet që ne t’i dërgojmë në komision deri në qershor të këtij viti.

Një element tjetër është trajnimi i vazhdueshëm. Rritja e kapaciteteve të punonjësve të administratës publike është prioritet. Janë bërë shumë trajnime. Bazuar në urdhrin e kryeministrit, tryeza e diskutimit i hapin rrugës ngritjes së bordit drejtues. Ndihet nevoja për përfshirjen më aktive të shoqërisë civile dhe duhet edhe bashkëpunim i pushtetit lokal. Ato duhet të marrin një rol më proaktiv. Ky është një proces sfidues për të gjithë ne dhe vendin tonë. Thelbi është tek përgjegjësia dhe llogaridhënia, duhet durim strategjik. Sot pritet miratimi i kuadrit negociues i BE-së për Shqipërinë. 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë, ka mbetur miratimi formal. Nuk mundet më Unioni që mos të përcaktojë datën. Ne e kemi përgatitur kuadrin tonë negociues për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ky dokument është pothuajse gati. Jemi gati për t’u ulur në tavolinë. Ka një lloj konfliktualiteti mes presidentit të RMV-së dhe Bullgarisë.’- tha Mazi.

Ora 10:45
Ministrja e Jashtme në takimin e KKIE: Shqipëria meriton mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare! Vendi mbetet dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-RMV

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ku foli mbi ecurinë e procesit të integrimit.  Ministrja Xhaçka theksoi se arritjet e vendit tonë janë pranuar në mënyrë unanime nga 27 vende të BE dhe se Shqipëria vijon të mbetet një dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-RMV. 

“Qeveria shqiptare ka vazhduar me përkushtim dhe dedikim zbatimin e programit ambicioz të reformave gjithëpërfshirëse, duke përmbushur të gjitha kërkesat nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo do të thotë se i kemi kryer të gjitha “detyrat e shtëpisë” në reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në lidhje me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, etj. Kushtet janë plotësuar dhe kjo u pranua dhe u vlerësua nga raporti i Komisionit, në tetor 2021, dhe po ashtu nga të gjitha vendet anëtare. Në këtë mënyrë, e kemi dëshmuar veten si një partner i besueshëm i BE-së. Mundësitë tona nuk kanë qenë kurrë më të mëdha, por ne vazhdojmë të mbetemi një dëm kolateral midis mosmarrëveshjes së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. ”, u shpreh ministrja Xhaçka. 

Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se Shqipëria do vazhdojë t’i ofrojë mbështetjen e saj të plotë BE-së, edhe përgjatë mandatit si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen