Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit po shqyrtohen aktet normative të Qeverisë, që janë pjesë e paketës anti-dhunë, që sipas kryeministrit Rama janë miratuar për të shmangur aktet vandale ndaj policëve, institucioneve dhe pronës private.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, tha se këto akti normativ për tubimët ka për qëllim kufizimin e ‘hapësirës’ së qytetarëve për të protestuar.
Tabaku theksoi se ky akt rrit represionin dhe hapësirën që Policia të abuzojë me protestuesit. Deputetja demokrate tha gjithashtu se gjatë tetorit shqiptarët panë një dhunë joproporcionale nga ana e Policisë mbi protestuesit.
“Kemi kërkuar prezencën e Ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për dhunën, ne e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese sepse besojmë se janë anti-kushtetues. Ajo që kanë parë shqiptarët nga tetori dhe dhuna joproporcionale e Policisë, për mua ka qenë një nga nivelet më të ulëta të menaxhimit të situatave të protestave gjatë këtyre viteve. Ne kemi parë të rinj që u është thyer këmba, u është krisur kafka. Kemi parë arrestime të paligjshme, që janë faktuar edhe nga Gjykata. Dhe ky akt për tubimet për mua rrit represionin dhe hapësirën që Policia të abuzojë. Rreth 1 mijë persona janë arrestuar. 250 kanë qenë minorenë që kanë firmosur pa praninë e prindërve. 2 elementë që duhet të theksoj. E para, s’ka as urgjencë dhe as nevojë për ta bërë me një akt normativ”, tha mes të tjerash Tabaku.
Deputetja demokrate tha gjithashtu se miratimi i këtyre nismave përmes akteve normative, cenon procesin e drejtë ligjor.
Tabaku theksoi se duke i dhënë të drejtë Policisë ‘për të verifikuar përgjegjësinë e protestuesve’ gjatë akteve të dhunës në tubime, Qeveria po cenon kompetencat e pushtetit gjyqësor.
Një paralajmërim Tabaku e kishte për të gjithë ata që kanë firmosur për regjistrin elektronik të protestuesve të dhunshëm, për të cilët tha se sëshpejti do të përballen me drejtësinë.
“Aktet normative konsiderohen si një përjashtim nga rasti. Ju jeni duke bërë akte normative për buxhetin, për tubimet dhe kjo cenon procesin e drejtë ligjor. Së dyti shkelni nenin 47 të Kushtetutës për tubimet. Jeni duke cenuar funksionet që ka policia e Shtetit. Me këtë regjistër ju thoni do i ndaloni njerëzit edhe për të udhëtuar jashtë? Por kush është Policia e Shtetit që të kufizojë lirinë e lëvizjes? Nga ana tjetër, ju i jepni një tjetër kompetencë policisë për të verifikuar përgjegjësinë e personave. Por të gjitha arrestimet kanë dalë të paligjshme. Si do i japim të drejtë ne policisë që të vendosë, kur ata janë në proces ligjor? Prandaj duhet të jetë i pavarur pushteti gjyqësor. Këtu cenohet edhe prezumimi i pafajësisë. Kush është Policia? Shtet policor jemi ne këtu? Nëse jemi shtet policor pranojeni se nuk e mbroni dot rendin dhe sigurinë. Ky është akti më antikushtetues që unë kam parë të miratohet. Nga ana tjetër, kushdo që ka firmosur për regjistrin elektronik do të shkojë para drejtësisë”, shtoi Tabaku.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, tha se synimi i akteve normative (konkretisht i aktit për tubimet) është synimi i garantimit të ushtrimit paqësor të protestave.
Ai shtoi se akti normativ ka për qëllim që të ndalojë aktet e dhunës në protesta, pasi sipas Qefalisë, tubimet duhet të bëhen brenda kornizave të ligjit.
Duke qenë se PD i ka dërguar ndryshimet në Kushtetuese, Qefalia tha se mazhoranca do të priste vendimin e Gjykatës dhe sipas tij, nëse i jep të drejtë opozitës, atëherë anëtarët e Ekzekutivit do të kërkonin falje.
“Synimi është garantimi i ushtrimit paqësor të tubimeve. Ndaj është ky akt normativ, për të ndaluar dhunën, dhunën jo vetem ndaj protestuesve, por edhe ndaj policëve. Nuk mund të lejojmë të cenohet individi, prona dhe insititucionet, në asnjë moment nuk thuhet aty që ndalohen protestat. Protestat janë të ligjshme dhe shumë mirë të bëhen të vazhdushme, por ato duhet të bëhen brenda kornizave të ligjit. Ndoshta Gjykata Kushtetuese do shprehet, nëse ajo shprehet se është anti-kushtetues do vijmë e do kërkojmë falje që është antikushtetues”, tha mes të tjerash Qefalia.
Ndërkohë në vijim të fjalës së saj, Tabaku tha se kishte një dallim mes trajtimit të protestuesve në paraburgim dhe në komisariate. Ajo tha se në paraburgime trajtimi i protestuesve të arrestuarve bëhej me respekt, ndërsa në komisariate, sipas Tabakut, ndaj protestuesve ushtrohet dhunë.
“Dua të bëj një dallim, respekt për ata në baraburgim, trajtim i mirë pavarëissht kushteve të vështira të paraburgimeve, por në komisariate janë rrahur janë tërhëqur zvarrë, kush do donte që t'i tërhiqej fëmija e vet zvarrë? Unë kam qenë atje, te Trauma i kam dhënë dorën edhe efektivëve të policisë. Sigurisht ata do i takoj dhe do kem respekt, por asnjë pikë respekti për ata që dalin pa identifikim, e tërheqin njerëzit zvarrë. Mbështetje e plotë për policët e ndershëm qe kanë punuar edhe 48 orë, por jo për ata që mbrojnë bandat”, shtoi Tabaku.
Ndërkohë deputeti socialist Arbjan Mazniku tha gjatë fjalës së tij se krahas të drejtës së njerëzve për të protestuar, duhen parë edhe të drejtat e biznesit dhe të qytetarëve, të cilat sipas tij janë cenuar nga persona të maskuar gjatë tubimeve.
“Krahas të drejtës së njerëzve për të protestuar, duhet të shohim edhe të drejtat e biznesit, e njerëzve që duan të ecin të lirë, atyre që paguajnë taksa, mos të paguajnë sërish për semaforë, e atyre që merren me turizëm, mos të kenë anulime se një grusht njerëzish me maska duan të protestojnë. Duhet një ekuilibër, ka një debat mes një pakice të zhurmshme edhe një shumice të heshtur që punon nga mëngjesi në darkë. Ky akt është një ekuilibrin mes të drejtës së protestës dhe punonjësve të policisë që mos të shkojnë në punë me frikën që do të kthehen në shtëpi të gjymtuar”, tha Mazniku.










Komente
Komento