Këshilli i Ministrave BE: Statusi
nëse përmbushen masat kyçe

BRUKSEL-  Këshilli i Ministrave të Jashtëm Bashkimit Europian bën publike sot konkluzionet, sipas të cilave Shqipërisë nuk  do t’i jepet statusi i vendit kandidat, pa përmbushur tre reformat e përcaktuara në rekomandimit e komisionit europian, përfshirë dhe luftën  kundër korrupsionit, krimin e organizuar.
 
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë një test thelbësor ndërkohë që Voa shkruan sot se  në përfundimet për Shqipërinë i bëhet thirrje që të shmangë deklarata që shkojnë kundër marëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Kjo është hera e parë kur Shqipërisë i tërhiqet vëmendja që të jetë e kujdesshme me deklaratat nacionaliste, duke treguar se Brukseli duket i shqetësuar edhe për deklaratat gjatë festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë kryeministri përmendi disa herë bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike

"Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, vecohet në tekstin e përfundimeve.


Këshilli i Ministrave të Jashtëm fton Komisionin Europian të raportojë çdo progres të ndërmarrë nga Shqipëria jo vetëm për tre çështjet e mbetura, por dhe rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit. Këshilli  fton Komisionin të raportojë sa më shpejt të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla"- thuhet në përfundimet për Shqipërinë.

Konkluzionet priten të bëhen publike në një konferencë për shtyp që do të mbahet sot në mesditë në Bruksel.

Edhe draft-konkluzionet e miratuara në nivel ambasadorësh një javë më parë bënë me dije se BE nuk do të jepte as këtë radhë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Reforma ligjore, krimi dhe korrupsioni si dhe zgjedhjet e lira të 2013, janë kusht për një vendim pozitiv. Pak ditë më parë lajmi u bë publik edhe nga  agjencia e lajmeve Euractiv, e cila duke cituar burimet diplomatike tha se Shqipërinë nuk do ti jepet statusi kandidat. Zgjedhjet që priten vitin e ardhshëm priten të jenë vendimtare. 

Miratimi i konkluzioneve i paraprin samitit të ardhshëm të 13 dhe 14 dhjetorit.

DRAFT- KONKLUZUIONET E AMBASADOREVE

Javën e kaluar draft-konkluzionet u miratuan në nivel ambasadorësh të premten e kaluar në Bruksel, ku fillimisht mirëpritet progresi i shënuar nga vendi falë dialogut të përmirësuar mes qeverisë e opozitës. "Shqipëria përmbushi një set reformash që buronin nga prioritetet kyçe, veçanërisht në adresimin e mirëfunksionimit të parlamentit, reformës zgjedhore dhe emërimin e zyrtarëve kyç.

Këshilli vëren vlerësimin e Komisionit se Shqipëria ka përmbushur katër nga prioritetet kyçe e se është drejt përmbushjes së dy prioriteteve të tjera", thuhet në draft. Në paragrafin e parë, në pjesën e qëndrimit të vetë vendeve anëtare, përfshihet edhe ndjeshmëria e vendeve kritike për luftën ndaj krimit e korrupsionit, testi i zgjedhjeve, dhe shqetësimi për retorikën nacionaliste. "Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Këshilli nënvizon nevojën për të rritur përpjekjet, siç janë përcaktuar nga raporti i Komisionit, veçanërisht në fushën e reformave të gjyqësorit për të forcuar pavarësinë, efikasitetin e llogaridhënien e tij, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe në zbatimin e reformave. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit", thuhet në draftin e BE. Në paragrafin e përgjigjes ndaj rekomandimit të Komisionit, Këshilli e fton këtë të fundit të raportojë sapo të jenë plotësuar, jo vetëm tre çështjet e mbetura, por me theks të përsëritur dhe rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit. "Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t'i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me qëllimin për të vendosur nëse do të japim statusin kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë sa më shpejt të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla", shprehet BE.
Në përfundim, e në paragrafin e fundit, Këshilli kujton se për çeljen e negociatave për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë pjesën e 12 prioriteteve të paplotësuara që prej Opinionit të Komisionit të vitit 2010. "Do kërkohet zbatimi i vazhdueshëm i reformave dhe përmbushja e të gjitha kritereve kyçe në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat me BE. Këshilli bën thirrje për fokus të veçantë mbi: zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare, përforcimin e pavarësisë, efikasitetit e llogaridhënies së institucioneve gjyqësore, përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndjekjet penale, me qëllim ndërtimin e gjurmëve të forta të provave, masat efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat antidiskriminuese, përfshirë në fushën e minoriteteve, dhe trajtimin e barabartë të tyre, dhe zbatimin e të drejtës së pronës", shprehet në draft.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

Lajme të mira në punë...Çfarë parashikon horoskopi për ju sot

Lajme të mira në punë...Çfarë parashikon horoskopi për ju sot