Siç shpeshherë e ka shprehur në dy javët e fundit, qeveria e sheh fenomen shqetësues pjesëmarrjen e lartë të të miturve në protesta të dhunshme. Kjo dhunë, mund të përçohet dhe të prekë e cenojë të tjerë, tha kryeministri Edi Rama.
“Të gjithë dhunuesit duhet të jenë përgjegjës ndaj asaj që kryejnë. Dhuna në një moment mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, kundër shkollës, universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes, mund të përdoret kundër kujtdo, që mund të shihet si pengesë, që mund të cenoje lirinë e tjetrit”, u shpreh Rama.
Situata e protestave që ka prekur edhe Europën, sipas kryeministrit, është ndikuar edhe prej rrjeteve sociale. Kjo është arsyeja pse do të nisë edhe konsultimi për kufizimin e tyre për minorenët, tha ai gjatë tryezës së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
“Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike dhe një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë për të hyrë fizikisht në një playstation dhe duhet hapur debati deri kur mund të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, 16 apo 18 vjeç. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TiKTok-un”, tha Rama.
Pjesë e masave sociale për të ndihmuar prindërit dhe socializuar fëmijët, do të jetë zgjatja e orarit të shkollës duke nisur nga viti i ardhshëm.
“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, tha Rama.
Dhuna e protestave të dy javëve të fundit është justifikuar e himnizuar, tha kryeministri Edi Rama. Sipas tij, për dhuna i është atribuuar Policisë së Shtetit, ndërkohë që dhunuesit e vërtetë kanë fituar imunitet mediatik dhe shihen si ata që do të përmbysin sistemin.
“Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem”, tha Rama.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00, bëri me dije kryeministri Rama. Kjo do të ndihmojë prindërit që punojnë, ndërsa fëmijët do të merren me aktivitete kulturore e sportive që ndihmojnë edhe socializimin e tyre.
“Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura, në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Gjatë fjalës së tij ai tha se ka marrë dhjetëra mesazhe nga prindërit që i kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre, pasi janë intimiduar me gjuhë kriminale.
“Nuk e kam menduar ndonjëherë që do jetoja një Shqipëri ku frika për të folur do ushqehej nga intimidimi i atyre që protestojnë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë, dhe nëse ti nuk je dakord me mua, unë të intimidoj të kërcënoj dhe të vendos para një zgjedhjeje, që është zgjedhje dramatike. Ose të jesh me mua, të mos vish në mësim, ose të jesh target i dhunës sime.
Kam dhjetëra mesazhe të studentësh që më kërkojnë të jenë anonim se kanë frikë. Kam dhjetër mesazhe të prindërve të këtyre studentëve që luten për ndihmë sepse ndjehen të pafuqishëm ndaj fëmjëve të tyre të intimiduar e të kërcënuar në një gjuhë që është kriminale. Ne presim një ndihmë nga të gjithë ju që janë të angazhuar në një front të heshtur por shumë të dobishëm për cilësinë e jetës dhe nevojën për mbështetje të fëmijëve dhe familjeve që nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre prurjeve shumë djallëzore”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se rrjetet sociale kanë ndikuar në vetminë e të rinjve dhe kapërcimin mes kufijve të realitetit e virtualitetit. Çështja e kufizimit të tyre do të debatohet në një konsultim me prindërit dhe mësuesit për të vendosur mbi moshën dhe kritere të tjera.
“Kjo situatë e re e gatuar me vite në Europë e Shqipëri si rezultat i arsyeve të ngjashme e të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike dhe një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë për të hyrë fizikisht në një playstation dhe duhet hapur debati deri kur mund të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, 16 apo 18 vjeç. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TiKTok-un, do të fillojmë konsultimin në shkolla dhe me prindërit”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se numri i konsiderushëm i të miturve në protestat e dhunshme mbetet një fakt shqetësues.
"Të gjithë dhunuesit duhet të jenë përgjegjës ndaj asaj që kryejnë. Dhuna në një moment mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, kundër shkollës, universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes, mund të përdoret kundër kujtdo, që mund të shihet si pengesë, që mund të cenoje lirinë e tjetrit. Përpara se këta fëmijë të mendojmë t’i dënojmë, duhet të mendojmë si të neutralizojmë burimet, nga ata joshen me dhunën. Përpara se të gjejmë se kush i përdori, duhet t’i ndihmojmë që të ikin nga kjo rrugë. Nëse për një të rritur, dënimi i merituar dhe izolimi e përfundon misionin dhe funksionin e shtetit në raport me sigurinë, për një të mitur duhet më tepër kujdes”, tha Rama.

Ministri Ervin Demo bëri me dije në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve se po ngrihet platforma Help for You për të ndihmuar të miturit në mjedisin dixhital.
“Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kauzave. Mbrojtja dhe siguria e tyre janë të panegociueshnme për të gjithë. E konsideroj mbrojtjen e çdo fëmije një detyrim të panegociueshëm, pavarësisht se kush e ka çuar në rrugë. Ministria e Brendshme është duke punuar për platformën Help for You, e zhvilluar nga Europol që ndihmon fëmijët nën 18 vjeç që përballen me abuzime në internet. Ka karakter informues dhe parandalues për mjedisin dixhital”, tha Demo.








Komente
Komento