Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e kësaj partie Oriela Nebiaj tha se realizimi i këtij procesi tregon për një angazhim të thellë të PD për të nxjerrë vendin nga situata në cilën ndodhet.
Mes emrave të antëtarëve të rinj është anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të bankës së Shqipërisë, Petraq Milo. Po kështu, janë dy këshilltarë të presidentit Nishani Ylli Asllani dhe Gjergj Lezhja. Mes anëtarëve të rinj është edhe kreu i Komunës Lazarat Dasho Aliko, si dhe emra nga bota e artit Ermal Mamaqi, Julian Deda, Shpëtim Saraçi.
Emri i dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi renditej mes fituesve, si dhe emrat e zëdhëneseve të PD, Laura Vorpsi, Silvi bardhi, Juela Meçani, Oriela Nebiaj, Erla Mëhilli.
Mësohet se Oriela Nebiaj ka punuar në sektorin e marketingut në dy revistat e bashkëshortes së Lulzim Bashës. Ndërsa Edi Lesi është këshilltar i Bashës së Bashki. Po nga ky institucion, në listën e Këshillit të PD janë zgjedhur edhe specialist i IT, Endri Kokoshi, dhe Dardana Boletit, sekretare në Bashki. Të tjerë të zgjedhur janë këshilltari i Bashës Etion Kapedani dhe Shefja e kabinetit në Bashki, Greta Deljani.
Të zgjedhur janë edhe Alban Male, bashkëshorti i Odeta Males, drejtore e një kompanie të kunatit të Bashës, dhe Ina Xhani, specialiste PR e kësaj kompanie.
Ndërsa është shpallur fitues edhe Agest Kopellaj, organizator i mitingjeve të Lulzim Bashës.
Në orët e para të mëngjesit të së Hënës përfundoi procesi i numërimit të votave për 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Procesverbalet e komisioneve të ngritura në Pallatin e Kongreseve ku mbajti punimet në dy ditë Kuvendi Kombëtar i PD-së, u dërguan në selinë blu ku do të bëhet dhe përllogaritja finale dhe ndarja e votave sipas kuotave, 30 % gra dhe 15 % të rinj.
Sipas raportimeve nga gazetarët e A1 REPORT që ndoqën zhvillimet e këtij Kuvendi, në votime morën pjesë rreth 70 % e 7500 delegatëve të ardhur nga rrethe të cilët u bënë pjesë e procesit për të zgjedhur 150 këshilltare nga 285 kandidatë.
Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD është një hap i rëndësishëm për procesin e organizimit të brendshëm të partisë më të madhe opozitare në vend, dhe për Lulzim Bashën zgjedhjet vendore të qershorit 2015, do të jenë tregues i rezultateve të këtij procesi.
Ky Këshill zgjedh çdo organ në parti, që nga anëtarët e kryesisë, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm, sekretarët dhe deri tek drejtuesit e departamenteve.