Këshilltarët e Majtë të Bashkisë Berat kanë bërë një deklaratë ku akuzojnë kryetarin e kësaj bashkie në ikje, Petrit Sinaj se ka dërguar po votim në Këshillin Bashkiak ku kërkojnë tjetërsimin e 500 mijë metrave katrorë tokë bujqësore. Ata thonë se pjesë e këtij territori që po zhvatet nga kryetari i kësaj Bashkie është edhe Mali Partizan, që përfaqëson një nga zonat turistike të qytetit.
Kjo zonë shfrytëzohet nga banorët e Beratit për aktivitete sociale dhe nga shkollat e qytetit për aktivitete shkollore.
"Në mënyrë abuzive, duke shpërfaqur natyrën korruptive qeverisëse të këtyre 4 viteve, Kryetari në ikje i Bashkisë së Beratit ka sjellë për votim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak një dokument ku kërkohet të tjetërsohen mbi 500 mijë metër katrorë tokë bujqësore dhe kullotë të territorit të Bashkisë në Njësitë Administrative Roshnik dhe Velabisht.
Edhe më flagrant është fakti që pjesë e këtij territori që kërkohet të zhvatet është edhe Mali Partizan, sheshet e të cilit përdoren edhe si hapësirë rekreative nga vetë qytetarët e Beratit. Skandali thellohet më tej kur përfituesit e kësaj prone kolosale, janë familjarë dhe njerëz të afërt me kryetarin e Bashkisë, Petrit Sinaj.
Partia Socialiste e Beratit dënon me forcë këtë akt thellësisht të paligjshëm. Ky veprim i Kryetarit në ikje, tregon më së miri filozofinë qeverisëse jo vetëm të tij si individ por edhe forcës që ai përfaqëson. Kjo aferë nxorri zbuluar edhe arsyen e kalvarit të vuajtjeve të banorëve të Bashkisë Berat, se pse ata janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në mënyrë sistematike në këto kater vite, ku përveçse nuk kanë pëfituar asnjë shërbim dinjitoz nga administrata totalisht e paaftë e zotit Petrit Sinaj, tani u duhet të përballen dhe me këtë vjedhje monstruoze të iniciuar nga Kryetari në ikje i Bashkisë, që me paturpësi kërkon ta shtojë si pasuri të njerëzve të tij të afërt.
Kjo përpjekje e hapur për të vjedhur 500 mijë metër katrorë pronë të banorëve të Beratit, është arsyeja se përse forca politike që Petrit Sinaj përfaqëson, LSI, së bashku me aleatin e saj Partinë Demokratike, kërkojnë të pengojnë zgjedhjet e 30 Qershorit dhe të vazhdojnë të rrinë në zyrë sa më gjatë për të vijuar grabitjet.
Gllabërimi i pronës publike është arsyeja kryesore që këto forca politike duan të prishin zgjedhjet e 30 Qershorit ne Berat për të shtyrë mandatet e tyre në krye të bashkisë me çdo mjet, madje edhe me dhunë, për të vjedhur ç’të munden dhe pa hesap.
Kur ky krim i shëmtuar ndodh në 10 ditët e fundit të fushatës elektorale, është e paimagjinueshme se çfarë mund të bëjë ky Kryetar Bashkie sikur të rrijë në zyrë qoftë një ditë më shumë.
Partia Socialiste e Beratit deklaron se anëtarët e saj në Këshillin Bashkiak do ta refuzojnë këtë akt korruptiv, të ulët, këtë vjedhje masive të pronës publike nga Kryetari i Bashkisë, i cili përbuzi qytetarët e vet dhe i poshtëroi duke e lënë qytetin në një gjendje të mjerueshme në këto kater vitet e fundit.
Partia Socialiste e Beratit i bën thirrje të gjithë këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak t’i thërrasin arsyes pasi ky veprim në kundërshtim të plotë me ligjin, cënon rëndë dinjitetin e banorëve të Beratit dhe bëhet vetëm për të përfituar disa njerëz brenda oborrit familjar të Petrit Sinajt.
Banorët e Bashkisë së Beratit duhet të jenë të sigurtë se ky akt kriminal, korruptiv dhe nepotik nuk do të marrë jetë kurrë dhe se më 30 Qershor ata me votën e tyre do e shkulin të keqen nga drejtimi i Bashkisë së tyre dhe do i hapin rrugë zhvillimit të Beratit duke e kthyer në një qytet modern dhe dinjitoz për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve të tyre", thuhet në deklaratën e këshilltarëve të majtë të Bashkisë së Beratit.