Një sulm ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit nuk ka gjasa të çojë në rënien e qeverisë së Republikës Islamike.
Ky është paralajmërimi drejtuar Presidentit të SHBA-së Donald Trump, sipas Wall Street Journal, që citon burime brenda administratës amerikane.
Sipas gazetës, Trump u këshillua se një veprim masiv ushtarak nuk do të garantonte përmbysjen e autoriteteve iraniane, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk i konsideroi opsionet më të kufizuara dhe të synuara si një mjet efektiv për të përmbysur shtypjen e protestave që po zhvillohen në vend.
Por, SHBA nuk i kanë ndaluar lëvizjet. Pentagoni njoftoi zhvendosjen e aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln, nga Kina jugore, drejt Lindjes së mesme, një lëvizje që pritet të marrë 5-6 ditë kohë.
Sipas të njëjtave burime, presidenti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por u ka kërkuar forcave të armatosura të jenë gati nëse autorizohet një sulm në shkallë të gjerë.
Këtë të premte ndërkohë, Kremlini njoftoi se Vladimir Putin zhvilloi një telefonatë me Benyamin Netanyahun, Kryeministrin izraelit. Zyra e shtypit të Putin, theksoi se Presidenti i Rusisë është ofruar të ndërmjetësojë mes palëve dhe se bisedime të tjera do të zhvillohen në vijim.
Grupi i pavarur vëzhgues amerikan i të drejtave të njeriut, HRANA, njoftoi se, numri i të vrarëve në protesta ka arritur në të paktën 2.677 persona, ndërsa po heton edhe 1.693 vdekje të tjera që aktualisht nuk janë ende të verifikuara.
Bashkimi Evropian (BE) u ka këshilluar kompanive ajrore evropiane të shmangin hapësirën ajrore iraniane.
“Prania dhe përdorimi i mundshëm i një game të gjerë armësh dhe sistemesh të mbrojtjes ajrore, përveç reagimeve të paparashikueshme, krijojnë një rrezik të lartë për fluturimet civile që operojnë në të gjitha lartësitë dhe në të gjitha nivelet e fluturimit”, ka deklaruar Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Ajrore në një buletin.
“Respektoj faktin që të gjitha ekzekutimet, më shumë se 800, janë anuluar nga Irani. Faleminderit', deklaron Donald Trump në rrjetin e tij social Truth.

Pavarësisht represionit, protestat dhe përplasjet kanë vijuar në Teheran dhe në shumë qytete të tjera. Kështu ka bërë të ditur Këshilli Kombëtar i Rezistencës Iraniane (NCRI), një koalicion politik i themeluar në vitin 1981, aktualisht në mërgim, që paraqitet si alternativë ndaj regjimit teokratik iranian.
«Shumë zona të Teheranit ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë ushtarake dhe të sigurisë. Sheshi Jomhouri dhe zonat përreth janë bllokuar nga forcat speciale NOPO. Patrulla me motoçikleta, të pajisura me kallashnikovë dhe pushkë, janë të dislokuara 24 orë në ditë në zona të ndryshme», thuhet në deklaratën e NCRI-së. Pavarësisht kësaj, «të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje, të rinj rebelë kanë dalë në rrugë në lagjet Pirouzi dhe Tehranpars, kanë brohoritur slogane kundër regjimit dhe janë përplasur me forcat e represionit. Në Qolhak është djegur një depo municionesh që i përkiste Pasdaranëve dhe Basijëve».
Mbrëmë në Rafsanjan, «të rinj rebelë janë përfshirë në përplasje godit-e-ik me njësitë speciale të regjimit. Janë djegur godinat e Komitetit të Ndihmës së Imam Khomeinit, zyra postare dhe një bankë shtetërore. Përplasjet godit-e-ik kanë vazhduar edhe në rrugët e Kermanshahut, Islamabad-e Gharb dhe Ilam». Ndërsa në Khorramabad, «regjimi, nga frika e rënies së godinave qeveritare, ka dislokuar tanke në pika kyçe të qytetit. Të rinjtë rebelë janë përplasur me njësitë speciale edhe në zonat Malek Shahr dhe rrugën Motahari në Isfahan, si edhe në Gonbad-e Kavus, Khoy, Langarud, Mashhad dhe Kahrizak», përfundon deklarata.

Irani synon ta mbajë ndërprerjen e internetit në nivel kombëtar të paktën deri në Vitin e Ri iranian, Nowruz, që bie rreth datës 20 mars. Kështu raporton Iran International, duke cituar IranWire, i cili nga ana e tij i është referuar aktivistëve të informuar nga zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani.
Shërbimi i internetit është bllokuar që prej së enjtes, më 8 janar. «Ndërprerja, e cila tashmë ka hyrë në javën e dytë, pritet të mbetet në fuqi deri në përfundim të periudhës 40-ditore të zisë për viktimat e protestave të fundit kombëtare», ka deklaruar IranWire.

Bashkimi Evropian i bën thirrje Iranit të ndalojë ekzekutimet e protestuesve dhe dënon përdorimin e dënimit me vdekje si mjet për të shtypur protestat.
"Ne kundërshtojmë përdorimin e dënimit me vdekje në çdo kohë, dhe në veçanti përdorimin e tij për të shtypur disidentët", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, gjatë konferencës së përditshme për shtyp, duke theksuar se Brukseli po ndjek "shumë nga afër" raportet për ekzekutime të mundshme të afërta të protestuesve.
Brukseli gjithashtu i bëri thirrje Teheranit të ndjekë "një politikë koherente drejt heqjes së dënimit me vdekje".
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe më pas me presidentin iranian Masoud Pezeshkian.
Sipas mediave të huaja, bëhet e ditur se këto bisedime u zhvilluan me qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Gjatë telefonatës së tij me Netanyahun, Kremlini thotë se Putini ofroi ndihmën e Moskës për të ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Iranit, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre.
Nga ana tjetër, lidhur me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, edhe kryeministri britanik ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij të Katarit.
Kujtojmë se pas protestave që kanë shpërthyer në të gjithë Iranin dhe vrasjeve të demonstruesve nga regjimi, tensionet janë rritur në të gjithë rajonin pasi Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se ushtria e SHBA-së mund të ndërhynte.

Autoritetet iraniane po kërkojnë shuma të mëdha parash nga familjet e të vrarëve gjatë protestave për të marrë trupat e tyre.
Disa burime i kanë thënë BBC-së se trupat po mbahen në morgje dhe spitale, dhe se forcat e sigurisë po i kthejnë ato vetëm te të afërmit kundrejt pagesës, shkruan La Stampa.
Të paktën 2,435 vdekje janë konfirmuar gjatë më shumë se dy javëve protesta në të gjithë vendin. Një familje në qytetin verior të Rasht i tha BBC-së se forcat e sigurisë kanë kërkuar 700 milionë tomanë, rreth 4,300 euro për kthimin e trupit të të afërmit të tyre.
Trupi po mbahej në morgun e Spitalit Poursina, së bashku me të paktën 70 protestues të tjerë të vdekur.
Ndërkohë, në Teheran, familja e një punëtori kurd të ndërtimit shkoi për të marrë trupin e tij, vetëm për t'u thënë se do të duhej të paguanin një miliard tomanë, pak më shumë se 6,000 euro. Një punëtor ndërtimi në Iran fiton mesatarisht rreth 86 euro në muaj. Në disa raste, stafi i spitalit ka telefonuar të afërmit e viktimave për t'i paralajmëruar ata paraprakisht që të vinin dhe të merrnin trupat përpara se forcat e sigurisë të mund të zhvatnin para.
Në një editorial gazete sot, regjimi në Teheran u ka bërë thirrje "figurave me ndikim" në vend që të "qëndrojnë në anën e duhur të historisë", raporton agjencia e lajmeve Fars.
Mediat e huaja raportojnë se pas disa ditësh trazirash dhe një shtypjeje të dhunshme që pasoi, duket se demonstratat në Iran janë shtypur disi nga regjimi.
Agjencia shtetërore e lajmeve raporton se regjimi i Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei shkruan:
"Janë figurat me ndikim ato që tani duhet të dalin përpara seriozisht, pa hezitim apo belbëzim, dhe duke deklaruar të vërtetat dhe duke qëndruar në 'anën e duhur të historisë', t'i japin një përgjigje të përshtatshme retorikës së hapur dhe të paturpshme të armiqve të njohur të Iranit."
Po ashtu regjimi shton se "nuk ka vend për dyshime apo heshtje, sepse vetë Irani është në rrezik".

Zelanda e Re ka tërhequr stafin e saj diplomatik nga ambasada e saj në Iran.
Wellingtoni zyrtar thotë se e ka mbyllur përkohësisht ambasadën dhe në vend të kësaj i ka zhvendosur operacionet e saj konsullore në Ankara të Turqisë.
I gjithë stafi u largua me fluturime komerciale, kryesisht dje.
Komente








