TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit nis sot me raundin e 23-të, teksa në program janë katër duele. Ky raund do mbyllet të shtunën (nesër) me ndeshjen Tirana - Dinamo. Derbi i kryeqytetit do marrë jetë në orën 13:30 në stadiumin "Selman Stërmasi".
Përpara medieve foli trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu. Ai tha se është shumë i lumtur që ekipi i tij ka dy muaj pa humbje dhe po sheh 'dritë në fundin e tunelit' për të dalë nga zona e ftohtë e renditjes.
Trajneri tregoi se Redon Xhixha, autori i golit të fitores kundër Egnatias, do mungojë për shkak të një problemi fizik. Mungesë do jetë edhe ajo e kapitenit Haxhiu, ndërsa në sulm rikthehet Emmanuel Ernest. Nga ana tjetër Dinamo e Ilir Dajës është përfshirë në një krizë me katër ndeshje pa fitore.
“Është një ndeshje e rëndësishme për Tiranën, futbollistët, por edhe tifozët. Padiskutim ndeshjet e tilla duan një analizë të thellë, analizuam skuadrën kundërshtare që ka kualitet brenda grupit, pres nga skuadra ime qe të jetë e përqëndruar në këtë ndeshje, besoj te grinta se si kemi zhvilluar ndeshjet këtë vit. I kemi thënë skuadrës si të ballafaqohet nesër dhe të na shërbejë për të marrë më të mirën nga ndeshjet.
Dëmtimet dhe mungesat? Po hasim shumë probleme, Xhixha do të mungojë, Ernest është bashkuar me grupin, por duhet parë gjendja e tij fizike. Mungesë gjithashtu do të jetë kapiteni ynë, Haxhiu. Marku është bashkuar me grupin, por duhet të shohim gjendjen e tij. Ndeshjet derbi nuk njohin tabelë dhe as të kaluar, ne vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme. Nuk na e shpëton ajo kampionatin, duhet përulësi, përqëndrim dhe ta zhvillojmë këtë sfidë të re për gjithsecilin që të tregojë vlerat e veta.
Asnjë humbje këtë vit kalendarik? Jam i lumtur që po bëjmë 2 muaj pa humbje, na duhet vazhdimësi, i bën mirë skuadrës. Duke parë kualitetin e grupit nuk është asgjë e tepër, më pëlqen mentaliteti, mënyra si po qasen në çdo ndeshje, me uri për ta fituar ndeshjen, mund ta bëjmë të lehtë, do sakrificë të shumtë.
Lëvizjet në merkato? Ka qenë jashtëzakonisht e mirë merkatoja sepse e dimë që në janar është e varfër, por ka bërë shumë punë duke shfrytëzuar lidhjet që ka (drejtori Bunjaku), që i ka bindur të bashkohen me skuadrën tonë.
Po i shërbejnë skuadrës, më gëzon që erdhën dhe po e ndihmojnë skuadrën, kemi ruajtur një grup të mirë, nuk duhet të harrojmë që kemi 4-5 mungesa. Fokusi do të jetë vetëm te ndeshja e nesërme, i marrim ndeshjet 1 nga 1, duhet ta harxhojmë të gjithë energjinë te ndeshja e nesërme”, tha Nuhiu.
Pas javës së 22-të, KF Tirana me 20 pikë mban vendin e parafundit në klasifikim (aq sa ka edhe Bylis që ndodhet në zonën play-out). Ndërkohë Dinamo me 34 pikë ndodhet në pozitën e katërt, por djemtë e Ilir Dajës kanë katër ndeshje pa fitore.
Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 23-të:
E premte, 06 shkurt 2026
13:30 Bylis - Partizani
13:30 Vllaznia - Vora
16:30 AF Elbasani - Teuta
19:00 Flamurtari - Egnatia
E shtunë, 07 shkurt 2026
13:30 Tirana - Dinamo ('Selman Stërmasi')
Renditja:

Komente











