KGB, Trump dhe Shqipëria

KGB, Trump dhe Shqipëria

Trump dhe Putin

Gazetat bulevardeske amerikane kanë vite që publikojnë teori konspirative nga më të habitshmet, rreth Donald Trumpit. Por mediat serioze nuk u kanë bërë jehonë atyre. Ato kanë bërë raportime investigative, për aspekte të dyshimta të bizneseve të Trumpit apo të lidhjeve që kanë patur njerëzit rreth tij me Rusinë, pa i "qepur" së bashku, për të hedhur në qarkullim një teori konspirative.

Sidoqoftë, në prag të takimit Putin-Trump, revista New York Magazine (e cila ka fituar disa çmime kombëtare për artikujt e saj), bëri përpjekjen e parë për të lidhur të gjitha raportimet investigative mbi Trumpin në një teori konspirative, sipas së cilës ekziston një probabilitet 10%-20%, që KGB-ja dhe pasardhësja e saj FSB-ja, të kenë patur diçka në dorë, me të cilën mund ta shantazhojnë sot Trumpin. (Artikulli është shumë i gjatë dhe të plotë mund ta lexoni në linkun http://nymag.com/daily/intelligencer/2018/07/trump-putin-russia-collusion.html ).

Deri në vitin 1987, shkruan analisti i New York Magazine, Jonathan Chait, nuk ishte regjistruar ndonjë prirje e Trumpit për politikën. Deri atëherë, ai njihej si një biznesmen ambicioz nga lagjja periferike njujorkeze, Queens, i cili donte të futej në elitën e lagjes qendrore, Manhattan.  Në vitin 1987, ai u ftua nga zyrtarët rusë, për të ndërtuar një hotel të madh në Moskë. Fill pas vizitës në Moskë, Trumpi pagoi për një reklamë që zinte të gjithë faqen kryesore të gazetës New York Times, në të cilën i bënte thirrje SHBA-së të mbyllte bazat ushtarake në Japoni, me argumentin se Japonia po përfitonte nga mbrojtja amerikane, ndërkohë që kishte një suficit tregtar me SHBA-në.

Në atë kohë, KGB-ja e kishte strategji që të joshte ose shantazhonte politikanë / intelektualë / biznesmenë perëndimorë, me synimin që ata të mbillnin përçarje e përplasje në vendet e tyre, si dhe përplasje mes SHBA-së dhe aleatëve të saj. Një tërheqje e trupave amerikane nga Japonia, do të përbënte përparësi strategjike për Rusinë, në bregun e saj lindor.

Deri në vitin 1992, Trumpi nuk kishte shfaqur ndonjë ambicie për t'u bërë president i SHBA-së, por pas fitores së Bill Clintonit, ai filloi të hidhte tullumbace mediatike, për një garë të mundshme të tij brenda Partisë Demokrate. Këto tullumbace përkojnë me kohën kur kompania e Trumpit ishte në prag të falimentimit dhe bankat amerikane nuk po i jepnin më kredi. Dhe kush e shpëtoi atë në një çast të tillë të vështirë? Filiale të bankave ruse, si dhe klientë rusë, që i blinin apartamentet luksoze të pashitura...

"Rusët kanë blerë shumicën e ndërtimeve tona", mburrej djali i madh i Trumpit në vitin 2008. “Ne nuk kemi nevojë për bankat amerikane; e sigurojmë financimin që na duhet të gjithin, nga Rusia", - mburrej djali i vogël i Trumpit ,në vitin 2014.

Një nga metodat e KGB-së (dhe pasardhëses së saj FSB-së), për të siguruar informacione kompromentuese ndaj vizitorëve të rëndësishëm në Moskë, ka qenë vënia e kamerave të fshehta në dhomat e hoteleve luksozë. Në vitin 2013, Trumpi shkoi në Moskë, për zhvillimin e një konkursi botëror bukurie. Sipas zërave që kanë qarkulluar në media, FSB-ja ka regjistruar disa skena perverse orgjie të tij në një hotel të Moskës, në të njëjtin krevat ku kishte fjetur më parë Obama (të cilin Trumpi e urren, qysh kur Obama e talli publikisht, në kohën kur ky i fundit ishte president).

Trumpi i ka mohuar kategorikisht këto zëra, duke thënë se kishte ndenjur në dhomën e atij hoteli vetëm pesë minuta, sa për t'u ndërruar. Por më vonë, gazetarët investigativë, Michael Isikoff dhe David Corn, zbuluan se, në fakt, Trumpi kishte ndenjur një natë në atë hotel, jo thjesht 5 minuta.

Përveç vizitave të Trumpit në Moskë, artikulli i gjatë i New York Magazine analizon edhe lidhjet e shumta të njerëzve rrotull Trumpit, me Rusinë. Ndër to bie më shumë në sy drejtuesi i fushatës presidenciale të Trumpit, Paul Manafort, i cili është aktualisht në burg (i akuzuar për transferime ilegale parash nga Rusia).

Para se të drejtonte fushatën e Trumpit, Manaforti kishte punuar në Ukrainë për ish-presidentin pro-rus, Janukoviç, i paguar nga oligarku më i afërt me Putinin, Oleg Deripaska. Në Kiev, bashkëpunëtori më i afërt i Manafortit ishte një ish-punonjës i KGB-së, i cili kishte kaluar në sektorin e organizatave joqeveritare. Sipas një akt-padie të prokurorit special Mueller, ky person vazhdon të jetë edhe sot një agjent i kamufluar i FSB-së.

Ditët e fundit, zv/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, publikoi një akt-padi ku akuzohen 12 agjentë të shërbimeve sekrete ruse dhe tri organizatave nën hyqmin e tyre, se kanë bërë një ofensivë të maskuar kibernetike në favor të Trumpit (e në dëm të Hillary Clintonit), në zgjedhjet presidenciale. Kjo është provë e qartë sipas artikullit të New York Magazine, se Puntini ishte më se i interesuar që Trumpi të shkonte në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, qëndrimet e Trumpit ndaj Gjermanisë (si dikur ndaj Japonisë), i vijnë shumë për shtat trashëgimtarit të KGB-së.

Tani mbetet të shihet se, çfarë do të ndodhë pas takimit kokë më kokë mes Putinit dhe Trumpit. A do ta vazhdojë Trumpi politikën konfliktuale në Europë (që i vjen për shtat Putinit)? A do ta njohë ai aneksimin e Krimesë nga Rusia? Dhe ç'është më e rëndësishme për ne shqiptarët, a do të tërhiqet SHBA-ja nga Ballkani?

Politika e pothuaj e shpallur e Putinit për Ballkanin, është ajo e kthimit të zonave të vjetra të influencës në Gadishull. Gjegjësisht, influencës austriake në vendet me shumicë katolike, influencës ruse në vendet me shumicë ortodokse dhe influencës turke në vendet me shumicë myslimane.

Një pengesë për këtë objektiv afatgjatë të Putin-it, është prania ushtarake dhe politike e SHBA-së në Ballkan. Në qoftë se Trumpi e ka ndarë mendjen për t'u tërhequr eventualisht nga Ballkani, shenjat e para do të duken nëse fillon reduktimi gradual i forcave amerikane, sidomos në bazën Bondsteel në Ferizaj - më të madhen bazë amerikane në Ballkan.../AFP

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sotiri: 20/07/2018 09:44

    Pallavra

    Përgjigju
  • KORÇARI: 17/07/2018 19:30

    E kam thënë e them dhe do e them, që TRAMPI e Simpatinë jashtë mase PUTININ, janë SHOKË dhe kjo u duk që në fillim, të tjerat janë sa për sy e faqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim