Me afrimin e dimrit, sulmet ruse ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës së ngrohjes për popullsinë civile po shndërrohen me shpejtësi sërish në një kërcënim konkret. Kushdo që ka mundësi, qoftë sepse ka një shtëpi jashtë qytetit, qoftë sepse mund të punojë në distancë, po e shqyrton gjithnjë e më seriozisht mundësinë për t’u larguar nga Kievi, në mënyrë që të mos përballet me të ftohtin në apartamente, siç ndodhi një vit më parë për shkak të sulmeve të Moskës.

Në muajt e ardhshëm, kryeqyteti ukrainas mund të boshatiset në një përmasë që nuk është parë që nga fillimi i luftës në 2022, kur miliona njerëz kërkuan strehim në pjesë të tjera të Evropës.

Për Volodymyr Zelenskyn, perspektiva e një rrethimi rus të Kievit përmes armës së të ftohtit është tashmë një nga prioritetet më të larta politike. Për këtë arsye, dje nga Kanadaja ai dha paralajmërimin e tij më të qartë deri më tani lidhur me përgjigjen e vendit të tij nëse Rusia do të rikthehet sërish në shkatërrimin e centraleve dhe rrjeteve elektrike: lideri ukrainas foli për një reagim reciprok.

Me fjalë të tjera, pa hyrë shumë në detaje, Zelensky la të kuptohej kërcënimi për të goditur burimet e energjisë në Rusi në të njëjtën mënyrë siç Rusia godet sistematikisht centralet civile ukrainase. “Nëse ata godasin infrastrukturën tonë energjetike, do të kenë një përgjigje pasqyrë”, tha Zelensky. Dhe më tej: nëse Rusia pranon të negociojë me mirëbesim “dhe nuk do të godasë infrastrukturën tonë energjetike, atëherë Ukraina nuk do të godasë infrastrukturën e tyre. Është si shkëmbimi i robërve të luftës.”

Presidenti ukrainas nuk dha detaje të tjera. Por referenca ndaj një “përgjigjeje pasqyrë” duket se synon t’i paraqesë Rusisë një kërcënim që shkon qëllimisht përtej asaj që Ukraina ka bërë deri tani: sulme ndaj rafinerive dhe depove të karburantit për të reduktuar kapacitetin e Rusisë për eksport dhe vetëfinancim, sulme ndaj qendrave logjistike të lidhura me ushtrinë, si dhe sulme ndaj nyjeve të rrjetit të madh të shpërndarjes, me synimin për të filluar të krijohen problemet e para për popullsinë civile.

Të flasësh për një përgjigje “pasqyrë” nënkupton, nga ana tjetër, kërcënimin e Kievit për të goditur centralet elektrike nga të cilat varet ngrohja e popullsisë civile, ashtu siç Rusia vepron kundër Ukrainës. Me fjalë të tjera, Zelensky duket gjithnjë e më i prirur ndaj idesë për të mbrojtur vendin e tij duke rënduar problemet politike të Vladimir Putinit brenda vendit të tij.

Në fund të fundit, presioni i Kremlinit ndaj civilëve ukrainas po bëhet gjithnjë e më i rëndë. Dje, dronët e pajisur me motorë reaktivë shkatërruan dy pika karburanti në Kiev dhe vranë dy persona në sulme që siç tha Zelensky, “po marrin gjithnjë e më shumë karakter terrorist.”

Është dita e dytë radhazi që ushtria e Moskës vë në shënjestër pikat e karburantit në kryeqytetin ukrainas, pasi më parë kishte shkatërruar rreth treqind të tilla në pjesën lindore të vendit, deri në atë pikë sa në zona të tëra është bërë shumë e vështirë të mbushësh rezervuarin e makinës.

Plani i Donald Trumpit po duket gjithnjë e më i vështirë për t’u realizuar: arritja e një samiti trepalësh me Zelenskyn dhe Putinin, ndoshta në kuadër të samitit të G20-s në Miami në dhjetor, sipas planit të liderit amerikan./Corriere