Natën e kaluar, raketat me rreze të gjatë veprimi të Kievit goditën sërish rajonin e Moskës, për herë të dytë brenda një jave u godit rafineria e naftës pranë kryeqytetit. Çatia e rafinerisë fluturoi në ajër. U goditën gjithashtu objektiva në rajonin e Rostovit dhe në territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht. Këtë e shpjegon në Telegram presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Bëhet fjalë për një përgjigje plotësisht të justifikuar ndaj sulmeve ruse kundër qyteteve dhe komuniteteve tona”, shkruan ai, “si dhe për një tjetër rezultat të rëndësishëm të punës së ushtarëve tanë kundër objektivave që furnizojnë makinën ruse të luftës. Falënderoj Forcat tona të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës për bashkëpunimin dhe brigadën tonë raketore për saktësinë e treguar. Këto ditë, të gjithë partnerët tanë kanë theksuar saktësinë dhe efektivitetin e sulmeve tona me rreze të mesme veprimi dhe të sanksioneve tona afatgjata. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe Rusia duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm në planin diplomatik.”
Për gazetarët në Bruksel, ku mbërriti në takimin e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, presidenti ukrainas tha se “nëse Ukraina digjet, edhe Moska do të digjet.”
Duke folur për sulmet masive me dronë ukrainas mbi kryeqytetin rus gjatë natës së kaluar, presidenti ukrainas përsëriti se “ka ardhur koha t’i jepet fund agresionit dhe të përfundojë lufta”, por se, nëse Kremlini vazhdon konfliktin, Ukraina do të reagojë.
Këshilli Europian ka shënuar një kthesë në raportin për Ukrainën pasi thotë se Evropa “ka një rol kyç për të luajtur në një zgjidhje të ardhshme” për t’i dhënë fund luftës dhe “është e gatshme të mbrojë interesat e saj”, gjë që nuk kishte ndodhur prej kohësh.
Udhëheqësit e BE-së kanë dënuar sulmin rus ndaj manastirit të mbrojtur nga UNESCO, Lavra e Peçerskut në Kiev.
“Liderët e BE-së dënuan gjithashtu sjelljen “gjithnjë e më agresive, të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme ndaj shteteve anëtare, përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, si dhe kërcënimet ndaj pranisë diplomatike evropiane në Ukrainë”, vijon raporti.
Incidenti i fundit ku një dron rus goditi një ndërtesë në Rumani, si dhe incidente të ngjashme në shtete të tjera anëtare, “janë një pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënojnë sigurinë e qytetarëve të BE-së dhe stabilitetin rajonal”, thuhet më tej.
Këshilli Europian dënon gjithashtu “shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale të shteteve anëtare” dhe thekson se Rusia mban përgjegjësi të plotë për pasojat e sjelljes së saj përshkallëzuese dhe veprimeve të vazhdueshme ushtarake.
Së fundi, Këshilli Europian “i bën thirrje Rusisë të tregojë një vullnet të vërtetë për paqe, të pranojë një armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm, dhe të angazhohet në negociata domethënëse për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”./Corriere
Komente






