Koreja e Veriut ka deklaruar se do të përshpejtojë forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe programit bërthamor, ndërsa lideri Kim Jong Un ka akuzuar SHBA-të dhe Korenë e Jugut se po rrisin praninë ushtarake në rajon.

Gjatë një takimi 3-ditor të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut, Kim tha se vendi i tij do të vazhdojë të zhvillojë aftësitë mbrojtëse përballë asaj që e cilësoi si kërcënim nga kundërshtarët.

Sipas agjencisë shtetërore koreano-veriore KCNA, Kim pretendon se planet e Koresë së Jugut për të pajisur forcat e saj me nëndetëse bërthamore dhe modernizimi i ushtrive në rajon po e çojnë Gadishullin Korean “në prag të një lufte bërthamore”.

Ai theksoi se Pheniani do të zgjerojë dhe forcojë më tej “forcën parandaluese bërthamore” për vetëmbrojtje.

Analistët thonë se deklaratat e Kim synojnë të justifikojnë zgjerimin e kapaciteteve bërthamore të Koresë së Veriut dhe të forcojnë idenë se vendi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga armët bërthamore.

Takimi i Partisë së Punëtorëve konfirmoi se zhvillimi i forcave bërthamore do të vazhdojë me ritme të shpejta, duke e bërë më të vështirë rikthimin e negociatave për çarmatosjen bërthamore.

Koreja e Veriut, e cila është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të programit të saj bërthamor, prej vitesh e cilëson veten si një shtet bërthamor “të pakthyeshëm”. Ndërkohë, tensionet mes dy Koreve mbeten të larta, pasi lufta e viteve 1950-1953 përfundoi me armëpushim dhe jo me një traktat paqeje, duke i lënë dy vendet teknikisht ende në gjendje lufte.