Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, është shprehur se nëse protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë do të kthehen të dhunshme, apo me bllokime rrugësh e biznesesh, do të ketë një ndikim negativ në sektorin e turizmit, por edhe në ekonominë e vendit.

Komentet Sefa i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ në sektorin e turizmit nga protestat.

Sefa foli gjithashtu edhe për parullat kundër investimeve të huaja në protestë, për të cilat tha se janë absurde. Sipas ekspertit, deri më tani në Shqipëri janë 1 miliardë euro prona të blera nga të huajt.

Eksperti theksoi se investimet e huaja janë mundësi për rritjen ekonomike të një vendi. Ai deklaroi se sot edhe Koreja e Veriut është hapur ndaj investimeve të huaja.

“Jam kundër protestuesve, sepse nëse janë të vërteta këto forma investimi dhe roli që kanë investimet e huaja direkte në ekonomi, këtu nuk ka dyshim në impaktin që japin investimet e huaja për një vend. Unë jam kundër edhe asaj që thotë kryeministri, sepse shifrat që ai jep, nuk ka një studim social-ekonomik të impaktit të të botuar. Pra nëse do jenë 4 miliardë, apo 3.5. Nuk ka një studim të impaktit mjedisor apo të punësimit të komunitetit. Nëse ato i kanë, pse nuk i bëjnë publike. Projekti 4 miliardë është fondi i investimit. PBB, turizmi zë 26%, pra më shumë se ¼. Nëse marrim edhe ndërtimin në funksion të turizmit, shkon në 38%. Rënia e këtij sektori ose të rrënon komplet, ose të ngre.

Fakti është që ne kemi turizmin si shtyllë kryesore të ekonomisë. Këtë sloganin ‘Shqipëria nuk është në shitje’ unë nuk e kam kuptuar asnjëherë. Sepse janë mbi 1 miliardë euro prona të blera nga të huajt në Shqipëri. Edhe studimet ndërkombëtare në raste të ngjashme, tregojnë se vetëm nëse protestat janë të dhunshme, atëherë mund të japin ndikime negative te turizmi. Nëse protestat kthehen të dhunshme, apo nëse kemi bllokim të akseve rrugore apo bizneseve, e sigurt që do kemi ndikim negativ te turizmi. Kam parë disa parulla kundër investimeve të huaja në Shqipëri që më janë dukur absurde. Madje edhe Koreja e Veriut është hapur tani ndaj investimeve të huaja”, tha mes të tjerash Sefa.

Kujtojmë se prej 27 ditësh qytetarët po protestojnë në Tiranë, ku kërkojnë largimin e qeverisë dhe të gjithë klasës politike aktuale.

Protestat nisën fillimisht për të kundërshtuar investimin që pritet të realizohet në Zvërnec të Vlorës.