Kina u kërkoi diplomatëve amerikanë që ndodhen në Hong Kong të ndalin përfshirjen në çështjet që lidhen me këtë rajon pas njoftimeve në shtyp se një diplomat ishte takuar me aktivistë pro-demokracisë.
Ministria e Jashtme njoftoi se shprehu "pakënaqësinë e fortë" ndaj zyrtarëve amerikanë lidhur me takimin e një zyrtari të konsullatës amerikane me një "grup lokal që luftojnë për pavarësi".
Ministria i bëri thirrje konsullatës amerikane që "të ndalë menjëherë kontaktet me rebelët e ndryshëm anti-Kinë" siç thuhej në deklaratë si dhe "të ndalojë menjëherë ndërhyrjen në punët e Hong Kongut".
Gazeta e Hong Kongut “Takungpao” njoftoi se këshilltarja e përgjithshme politike e Konsullatën Amerikane Julie Eadeh ishte takuar me anëtarët e partisë politike pro-demokracisë “Demosisto” si dhe aktivistin e shquar Joshua Wong.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit u tha përfaqësuesve të agjecisë së lajmeve AFP se qeverisë amerikane "takohen rregullisht me një grup të gjerë njerëzish nga Hong Kongu dhe Makau".
Kina pretendon se protestat anti-qeveritare në Hong Kong janë financuar nga Perëndimi, por nuk ka arritur të ofrojë prova përveç deklaratave mbështetëse nga disa politikanë perëndimorë.
Tensionet në rajonin gjysmë-autonom janë të larta pas dy muaj protestash që herë pas here janë shoqëruar me dhunë.
Trazirat nisën në qershor nxitur nga një projektligj që nëse miratohej, do të lejonte ekstradimin në Kinë për procese gjyqësore.
Protestat që atëherë kanë evoluar në një lëvizje për reforma demokratike në vend.
Partia “Demosisto” pohon se po lufton për më shumë autonomi për Hong Kongun dhe jo për pavarësinë e tij. VOA