/ATSH/.-Ky vit shënon 70 vjetorin e fitores së Luftës Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez dhe të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Për herë të parë, Kina do të mbajë një seri aktivitetesh për të përkujtuar fitoren, të cilat do të kulmojnë me një paradë ushtarake të enjten më shtator 3. Parada ushtarake, do të transmetohet drejtëpërdrejt nga CRI-Shqip në radio dhe në internet në websitin albanian.cri.cn dhe Facebook Radio Ejani FM106.
Autoritetet kanë lajmëruar se parada ushtarake ka qëllim të tregojë angazhimin e Kinës për paqen. Tema e aktivitetit është të kujtojë historinë, përkujtojë dëshmorët, çmojë paqen dhe ndërtojë një të ardhme të ndritur.
Parada e këtij viti do të shënojë disa risi. Kjo është hera e parë që Kina shënon përvjetorin e kapitullit të Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Hera e parë që Kina fton trupa të vendeve të tjera për të marrë pjesë në një paradë ushtarake. Herën e parë që përfaqësuesit e trupave heroike në luftë do të parakalojnë, ndërkohë janë ftuar veteranët e luftës dhe pasardhësit e tyre. Pajisjet dhe armatimet do të jenë kryesisht të prodhuara në Kinë dhe të shërbim aktiv të ushtrisë. Pajisjet ushtarake që do të demonstrohen në paradë i përkasin kryesisht shërbim aktiv të ushtrisë, shumica e të cilave do të paraqiten për herë të parë ndaj botës.
Në paradën e 3 shtatorit konfirmuan pjesëmarrjen 49 vende dhe 10 organizata ndërkombëtare.
Duke folur para shtypit, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Yang Yujun, tha se parada nuk i kundërvihet ndonjë vendi tjetër. "Kjo paradë është pjesë e aktiviteteve përkujtimore të 70 vjetorit të fitores së luftës së rezistencës së popullit kinez kundër pushtuesit japonez dhe luftës anti-fashiste botërore dhe ka për qëllim përkujtimin e historisë dhe heronjve të saj, mbrojtjen e paqes dhe krijimit të së ardhmes së ndritur. Parada nuk i kundërvihet ndonjë vendi tjetër, nuk i kundërvihet Japonisë së sotme si dhe popullit japonez. Ajo nuk ka lidhje të drejtë me marrëdhëniet aktuale kino-japoneze," tha Yang.
Pas themelimit të Kinës së Re, janë organizuar 14 parada ushtarake me rastin e Ditës Kombëtare. 70 vjet më parë beteja kundër pushtuesit japonez ishte e përqendruar në dy vija fronti. Në atë të parën ishin ushtarët e drejtuar nga Partia Kuomintang ndërsa në vijën e pasme të frontit ata të drejtuar nga Partia Komuniste. Partizanët luftuan së bashku për të mbrojtur atdheun nga agresioni i jashtëm. Wang Shiming, i Zyrës së Informacionit i Këshillit të Shtetit të Kinës, thotë se lufta e Kinës i dha një goditje të rëndë ushtrisë japoneze duke ndihmuar luftën anti-fashiste botërore.
"Lufta e popullit kinez kundër agresionit japonez ka zgjatur mbi 14 vjet. Sipas të dhënave të paplota statistikore, mbi 35 milionë civilë dhe ushtarakë kinezë humbën jetën dhe u plagosën në luftë. Po të llogariten sipas vlerës së dollarit amerikan në vitin 1937, humbjet ekonomike direkte të Kinës i kaluan 100 miliardë dollarët dhe ato indirekte më shumë se 500 miliardë dollarë. Zgjatja e luftimeve ndikoi në tërheqjen dhe goditjen e rëndë të forcave ushtarake japoneze. Me humbjen e mbi 1.5 milion ushtarëve, fashistë japonezë u dëmtuan rëndë, duke çuar në dështimin përfundimtar të tyre. Betejat në Kinë kanë ndihmuar nga ana strategjike luftën e forcave aleate në Europë dhe Paqësor, duke frenuar dhe shkatërruar orvatjet e fashistëve japonezë dhe atyre gjermanë e italianë", tha Wang.
Më 15 gusht, 1945, Perandori japonez Hirohito mbajti një fjalim të regjistruar në radio, në të cilin njoftoi dorëzimin e vendit. Ceremonia e dorëzimit u mbajt më 2 shtator, në bordin e luftanijes amerikane, USS Missouri.