Kina ka vendosur një objektiv zyrtar të rritjes ekonomike prej "rreth 5%" për vitin 2023, pasi kërkon të ringjallë ekonominë e dytë më të madhe në botë pas një viti rritjeje të vakët për shkak të masave pandemike.
Në projekt raportin e buxhetit të publikuar mëngjesin e të dielës së sotme, parashikohet edhe zgjerimi i buxhetit të saj të mbrojtjes me 7.2% krahasuar me vitin e kaluar duke shënuar një rritje të lehtë.
“Ekonomia e Kinës po zhvillon një rikuperim të qëndrueshëm dhe po demonstron potencial dhe vrull të madh për rritje të mëtejshme”, u tha kryeministri në largim Li Keqiang delegatëve ndërsa jepte një raport të punës së qeverisë në hapjen e kongresit të dielën.
Ekonomia shtoi më shumë se 12 milionë vende pune urbane vitin e kaluar, me normën e papunësisë urbane që ra në 5.5%, sipas raportit të punës, i cili theksoi fokusin e Kinës në sigurimin e rritjes së qëndrueshme, punësimit dhe çmimeve në mes të inflacionit global dhe vendosi objektivin e PBB-së.
Kina zbuloi gjithashtu buxhetin e saj vjetor ushtarak për vitin 2023, i cili do të rritet me 7.2% në afërsisht 1.55 trilion juanë (224 miliardë dollarë) në projekt-raportin të publikuar të dielën në mëngjes.