Kina ka deklaruar se është duke planifikuar të nisë një ankesë të re në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO) kundër tarifave të presidentit amerikan, Donald Trump. Ky kërcënim vjen pasi Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar valën e dytë të tarifave në vlerë të 16 miliardë dollarëve në mallrat kineze, duke përshkallëzuar luftën tregtare në mes të dy shteteve.
Taksa prej 25 përqind ka nisur së zbatuari në mesnatë, duke prekur sektorin e motoçikletave dhe antenave. Si pasojë e këtyre tarifave janë rritur shqetësimet se të njëjtat mund të dëmtojnë kompanitë dhe konsumatorët. Ministria kineze e Tregtisë ka paralajmëruar për “kundërsulm”, pasi Uashingtoni ka aplikuar tarifat e reja, duke thënë se “dyshon qartas” që SHBA-ja është duke shkelur rregullat e Organizatës Botërore. Ky shtet ka nisur ankesën e parë drejt këtij trupi në muajin korrik.
Të enjten, Kina ka vendosur taksa hakmarrëse në vlerë të 16 miliardë dollarëve në mallrat amerikane, në kohën e njëjtë kur kanë nisur së zbatuari masat e SHBA-së. Tarifat kineze prekin thëngillin, instrumentet mjekësore, veturat dhe autobusët që vijnë nga SHBA-ja. Masat reciproke kanë ndodhur në kohën kur zyrtarët e dy shteteve janë duke mbajtur nivele të takimit të ulët në Uashington. Mirëpo të dyja anët shpresojnë në arritjen e një pike të kthesës në konfliktin tregtar që ka nisur në muajin korrik./REL