TIRANE, 27 Qershor/ATSH/- Në Sofje të Bullgarisë u zhvillua takimi mes ministrave të Bujqësisë së 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Jug-lindore me përfaqësues të qeverisë kineze, ku në tryezë u propozuan projektet në të cilat Kina është e interesuar për të investuar.
Shqipëria u përfaqësua në këtë samit me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Edmond Panariti.
Takimi ishte pjesë e agjendës së qeverisë kineze, që pas takimit të kryeministrave në Beograd ka shfaqur një interes gjithnjë e në rritje për investime në rajon.
Kina premton mbështetjen e një sërë projektesh, kryesisht në infrastrukturë, bujqësi dhe turizëm në rajon, përmes kredive të buta ose koncesioneve.
Qëllimi i këtij takimi ishte gjithashtu prezantimi zyrtar i Shoqatës për Promovimin e Bashkëpunimit në Bujqësi midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore.
Shoqata, e cila do ta ketë selinë në Sofie, do të përbëhet nga një anëtar për cdo vend dhe do të zhvillojë aktivitete periodike për të forcuar bashkëpunimin në bujqësi midis Kinës dhe vendeve të EQL-së.
Pala kineze u përfaqësua në këtë event nga Mr. Zeng Yichun, Zëvendësministër i Ministrisë të Bujqësisë të Republikës Popullore të Kinës.
Në takim Ministri Panariti falenderoi palën bullgare për organizimin dhe theksoi, se, duke patur parasysh që eksportet e produkteve shqiptare po rriten, sidomos ato të perimeve dhe të vajit të ullirit, Kina përfaqëson një mundësi të re për te rritur eksportin jo vetëm në vendet fqinje por dhe në një treg kaq të rëndësishëm sa ai kinez./a.g/









