Tre burrat më të fuqishëm në botë, Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping janë mbledhur në një samit në Kinë, të cilin mediat e huaja e kanë cilësuar si të paprecedentë. Pas 2 orësh bisedime me Putinin, ku u diskutua për një rend botëror shumëpolar më të drejtë, Presidenti kinez Xi Jinping priti Trumpin në aeroport me tapet të kuq dhe përqafime të ngrohta. Më pas, në prani të Xi Jinping, Trump dhe Putin shtrënguan duart me njëri-tjetrin.

Rusia dhe Kina ndajnë një qasje konstruktive për ndërtimin e një rendi botëror shumëpolar më të drejtë dhe synojnë të forcojnë bashkëpunimin për të nxitur prosperitetin e rajonit Azi-Paqësor.  Kështu tha Presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit të tij me Presidentin kinez Xi Jinping në Shenzhen, në margjinat e Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Në takimin që zgjati dy orë Putin theksoi se Moska dhe Pekini mbajnë marrëdhënie të qëndrueshme dhe pozitive të politikës së jashtme dhe ndajnë qëllimin për të kontribuar në zhvillimin ekonomik rajonal dhe stabilitetin. Bashkëpunimi në politikën e jashtme midis Rusisë dhe Kinës po përparon "në mënyrë të qëndrueshme dhe pozitive në skenën ndërkombëtare".

Putin përsëriti konvergjencën midis Moskës dhe Pekinit mbi nevojën për të promovuar një rend botëror shumëpolar më të drejtë, duke përmendur prosperitetin e rajonit Azi-Paqësor si një nga qëllimet e tyre të përbashkëta. Xi Jinping, nga ana e tij, theksoi nevojën për të marrë masa konkrete për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat dhe "për të udhëhequr dhe promovuar trendin drejt një bote shumëpolare".

Presidenti rus bëri thirrje gjithashtu për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtisë midis dy vendeve, duke përmendur rritjen prej 43% të flukseve turistike reciproke, të inkurajuara nga futja e regjimit të udhëtimit pa viza.

Nga ana tjetër, Xi Jinping u bëri thirrje të dy vendeve që "të ruajnë me vendosmëri vazhdimësinë, të ecin me guxim" dhe të promovojnë ndërtimin e një sistemi ndërkombëtar shumëpolar dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Putin e quajti Shenzhenin, qytetin që pret samitin e APEC-ut më 18-19 nëntor, një simbol të prosperitetit ekonomik të Kinës dhe një shembull zhvillimi që duhet ndjekur. Takimi i sotëm është i pesti midis Putinit dhe Xi Jinping që nga fillimi i vitit dhe është pjesë e marrëdhënieve gjithnjë e më të forta politike dhe ekonomike midis Moskës dhe Pekinit.

Bisedimet u zhvilluan gjithashtu në një format të zgjeruar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumtë të të dy qeverive. Delegacioni rus përfshin zëvendëskryeministrat Tatyana Golikova dhe Dmitry Chernyshenko, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave Anton Siluanov, ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrei Belousov, ministrin e Zhvillimit Ekonomik Maxim Reshetnikov dhe ministrin e Energjisë Sergei Tsivilev. Përfaqësues të administratës presidenciale janë gjithashtu të pranishëm, përfshirë këshilltarin diplomatik Yuri Ushakov dhe zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.

Takimi dypalësh i paraprin samitit trepalësh të planifikuar për nesër, më 19 nëntor, midis Putinit, Xi Jinping dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili është konfirmuar nga Kremlini, Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme kineze.Trump ka treguar ndër temat që synon të trajtojë situatën në Ukrainë dhe Iran, çarmatimin bërthamor dhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Samiti i Shenzhenit do të jetë takimi i parë trepalësh midis udhëheqësve të Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:31
Trump-Putin, takim 'kokë më kokë' në samitin e Kinës! Kremlini: Do të bisedojnë gjatë, mund të takohen disa herë

Donald Trump do të takohet me Vladimir Putinin jashtë takimit të planifikuar trepalësh me Xi Jinping, në kuadër të samitit të APEC-ut në Shenzhen të Kinës.

Këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov, citohet të ketë deklaruar në një intervistë se  të dy udhëheqësit do të zhvillojnë bisedime të thella dhe mund të takohen disa herë gjatë samitit.

"Kur udhëheqësit të takohen, më besoni, ata do të zhvillojnë një bisedë të plotë. Pavarësisht nëse janë ulur në një kolltuk, në një karrige, në një stol, apo thjesht në këmbë, duke parë njëri-tjetrin në sy. Takimi do të ndodhë, do të ndodhë", tha Ushakov, duke theksuar se formati i bisedimeve nuk do të ndikojë në përmbajtjen e tyre.

Një takim 'kokë më kokë' Trump-Putin u konfirmua dhe nga një zyrtar amerikan, i cituar nga Neë York Times. Mbetet e paqartë, nëse takimi do të zhvillohet para apo pas bisedimeve trepalëshe me Xi Jiping.

Hera e fundit që ata u takuan ishte më 15 gusht 2025 në Anchorage të Alaskës, në bazën ushtarake Joint Base Elmendorf–Richardson.

Ky samit, i cili zgjati rreth tre orë, kishte në fokus gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Kjo ishte gjithashtu vizita e parë e Putinit në Shtetet e Bashkuara pas një dekade dhe takimi i tij i parë ballë për ballë me Trumpin që nga viti 2019.

Ora 17:01
Xi Jinping thyen traditën për Donald Trump, e pret në aeroport dhe e përqafon para kamerave! Çfarë fshihet pas gjestit të pazakontë

Presidenti kinez Xi Jinping ka thyer traditën e protokollit diplomatik, duke shkuar personalisht në aeroportin e Shenzhenit për të pritur presidentin amerikan Donald Trump, i cili mbërriti në Kinë për samitin e APEC.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte përqafimi mes dy liderëve mbi tapetin e kuq, pranë shkallëve të avionit presidencial Air Force One. Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, ky ishte një gjest i pazakontë për Xi Jinping, i cili tradicionalisht i pret liderët e huaj në pallatin e tij dhe jo në aeroport.

Presidenti kinez nuk u mjaftua vetëm me shtrëngimin e duarve, por e përqafoi Trump përpara kamerave, një veprim i rrallë në gjuhën e tij të trupit. Në politikën ndërkombëtare, ku çdo gjest është i studiuar, kjo pritje ka marrë vëmendje të veçantë.

Në shtator, Trump kishte bërë një gjest të ngjashëm ndaj Xi Jinping, duke shkuar personalisht për ta pritur në aeroport, ndonëse protokolli amerikan parashikon që pritja të bëhet në hyrje të Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, sipas analizës së gazetës italiane, përqafimi i Xi mund të ketë pasur edhe një tjetër qëllim. Është e mundur që presidenti kinez, pasi ka studiuar homologun amerikan, të ketë kuptuar se Trump i kushton rëndësi të veçantë vlerësimit personal dhe njohjes së statusit të tij.

Përqafimet janë të rralla për Xi Jinping, i cili një gjest të ngjashëm e kishte bërë edhe ndaj presidentit rus Vladimir Putin në shkurt të vitit 2024, gjatë një takimi në Zhongnanhai.

Atëherë, presidenti kinez e kishte përqafuar dy herë Putinin, ndërsa pamjet ishin transmetuar nga televizioni kinez dhe kishin nxitur interpretime të ndryshme mes politologëve. Këtë herë, sipas “Corriere della Sera”, përqafimi me Donald Trump shihet si një sinjal se Xi Jinping e ka çuar Kinën në të njëjtin nivel fuqie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ora 16:36
Nga karavidhet te verërat e shtrenjta, ja çfarë u shërbeu Xi Jinping liderëve botërorë në banketin e organizuar në Kinë

Karavidhe me xhenxhefil, peshk i gatuar në avull, biftek viçi me kërpudha dhe verëra kineze. Këto janë disa nga gatimet që presidenti kinez Xi Jinping u ka ofruar liderëve të mbledhur në Shenzhen për samitin e APEC.

Sipas gazetës “South China Morning Post”, banketi përfshinte një menu të pasur me specialitete të kuzhinës kineze, duke nisur nga një antipastë e ftohtë e quajtur “Qyteti i Rokut”.

Mes pjatave të veçanta ishte edhe supa me fshikëz notimi peshku dhe ullinj kinezë, si dhe karavidhe e skuqur me xhenxhefil dhe qepë të njoma.

Fshikëza e notimit është një organ i brendshëm i peshkut që e ndihmon të qëndrojë në ujë. Pasi nxirret dhe thahet, përdoret në kuzhinën kineze, veçanërisht në supa. Ky përbërës konsiderohet mjaft i çmuar dhe tradicionalisht lidhet me luksin dhe prestigjin. Çmimi i tij mund të jetë shumë i lartë, në varësi të llojit të peshkut dhe cilësisë.

Në banket u shërbyen gjithashtu kërpudha morel, lakra të vogla dhe gështenja me salcë shafrani. Në mes të darkës, të ftuarit shijuan edhe tri specialitete të kuzhinës kantoneze.

Për ëmbëlsirë, menuja përfshinte supë të ëmbël me fasule të kuqe, lëkurë mandarine dhe fara lotusi, si edhe tortë, fruta të freskëta dhe akullore. Në fund u shërbyen kafe dhe çaj.

Për të shoqëruar gatimet ishin zgjedhur një verë e kuqe Cabernet Sauvignon e vitit 2019 nga Ningxia, një verë e bardhë e vitit 2020 dhe një verë ëmbëlsire me liçi nga Guangdong.

Ora 10:35
Presidenti Trump zbarkon në Kinë, pritet me qilim të kuq dhe përqafim të ngrohtë nga Xi Jinping! Qindra qytetarë ‘të etur’ për ta takuar

1794994590_ftrysri.JPG

Aeroplani i Presidentit amerikan Donald Trump ka mbërritur pak më parë në Shenzhen të Kinës.

Sipas mediave të huaja ai u prit me qilim të kuq nga autoritetet kineze dhe me një përqafim të ngrohtë nga Presidenti Xi Jinping, ndërsa po zbriste nga avioni i tij.

Grupe të vogla njerëzish nga Shenzhen u mblodhën përgjatë rrugës që ndoqi eskorta e Trump për të mirëpritur presidentin e SHBA-së.

Siguria dhe mbikëqyrja në disa pjesë të qytetit u forcuan në orët e fundit, në përgatitje të samitit të paprecedentë midis të tre burrave më të fuqishëm në botë.

“Shpresoj që ardhja e zotit Trump këtu të jetë një urë lidhëse midis SHBA-së dhe Kinës”, tha një i ri ndërsa priste në një cep rruge pranë hotelit të presidentit të SHBA-së.