Pas një mungesë më shumë se 30 vjeçare, në qytetin e Gjirokastrës është rihapur kinemaja. Kësaj here, është kinema verore, që për 4 ditë rresht e ktheu qytetin e gurtë në qytetin e kinemasë botërore. Për katër netë rresht qyteti i Gjirokastrës është kthyer në një oaz çlodhës kulturor për banorët dhe për turistët e huaj që vizitojnë Gjirokastrën në këto ditë të nxehta vere.
Aktiviteti ka promovuar disa nga filmat e fundit të kinemasë shqiptare të pashfaqur për publikun e gjerë si: “Të Thyerit” (Broken), i regjisorit të njohur Edmond Budina apo filmi i regjisorit të njohur Fatmir Koçi “Elvisi kthehet në shtëpi” i cili u zgjodh në festivalin e filmit Monteral në kategorinë A. Në tapetin e kuq kaluan emra të njohur të kinemasë shqiptare si regjisorë dhe aktorët e roleve të ndryshëm në filmat e rinj shqiptar. Nëpërmjet retrospektivave të ndryshme u bë homazh për aktorët dhe regjisorët shqiptarë e të huaj që janë ndarë nga jeta. Për regjisorin dhe aktorin Edmond Budina organizime të tilla janë të rëndësishme për promovimin e kinemasë shqiptare.
Ekrani i madh në Gjirokastër ka qenë dhe një fillim i mbarë për restaurimin e kinemasë në këtë qytet me tradita. Kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami pohoi se së shpejti do të rivihet në funksionim edhe kinemaja e dikurshme e qytetit. “Open Cinema” aktiviteti i mirëpritur nga publiku vendas dhe i huaj në Gjirokastër promovoi disa nga prodhimet më të mira të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj.
Komento