Kinematografia, dashuria me shikim të parë Bisedë me Bujar Alimanin, regjisor dhe skenarist

Kinematografia, dashuria me shikim të parë Bisedë me Bujar Alimanin, regjisor dhe skenarist

Bujar Alimani

Kinematografia për të është si ajri që thith; dashuri me shikim të parë, pa të cilën nuk mund të jetojë dot. Është një art që i vjen natyrshëm, ku burim frymëzimi bëhen njerëzit, ngjarjet, detajet, që syri i një mjeshtri si ai, i kap për t’ua mveshur më pas personazheve të filmave.  

Ai është regjisori i “Albanian Virgin”, “Amnistia “, “Delegacioni “, “ Earring missing “, “ Gas” dhe së fundmi “Fluturat”. Kur flitet për kinematografinë moderne shqiptare mendja nuk mund të mos shkojë tek një nga regjisorët tanë më të mirë, Bujar Alimani. Filmat e tij janë vlerësuar jo vetëm nga publiku shqiptar por edhe nga festivale prestigjioze evropiane të filmit, me çmime te rëndësishme. Emri i tij për sinefilët shqiptarë përfaqëson një  markë sigurie DOC, një garanci për cilësinë e filmave që i sjell publikut tonë dhe jo vetëm. Para pak ditësh, regjisori ishte i pranishëm në kryeqytetin e Evropës, në Bruksel, për të prezantuar dokumentarin e tij të fundit “Fluturat”, i cili sjell në fokus 21 gra shqiptare dikur të internuara në kampin e Gradishtës, në zonën e Myzeqesë. Ato rikujtojnë jetën e dikurshme, vështirësitë dhe mbi të gjitha përjetimet e tyre në lidhje me të shkuarën dhe të tashmen.    

Ftesës për t’u takuar dhe biseduar, z. Alimani iu përgjigj me dashamirësinë që e karakterizon. Natyrshëm e pyes se si lindi marrëdhënia me kinemanë, duke qenë se z. Alimani është një artist multidimensional, një ikonograf i shkëlqyer dhe piktor, kryesisht akuarelist. Kjo e fundit është diçka e njohur për ata që e ndjekin artistin në rrjetet sociale, IG dhe Facebook.  

Ai u shpreh se lidhja e tij me kinematografinë lindi në vitin ’97 në vendin fqinj, në Greqi ku jetonte në atë kohë. Pati fatin siç do ta quajë ai më vonë, që u përfshi në një shesh xhirimi, ku drejtori i fotografisë e njohu me kamerën. Magjepsja që përjetoi sapo syri i tij u vendos në kamera, ku arriti të shihte imazhet përmes një filtri të lehtë në ngjyrë mjalti, ishte e menjëhershme. Magjia e atij momenti do ta bënte të kuptonte se ajo ishte rruga që ai do të ndërmerrte në vazhdim. Aty ai u njoh dhe mësoi më shumë mbi kinematografinë botërore, përfshi këtu Nouvelle Vague franceze, kinemanë iraniane, atë japoneze, e më gjerë. Nga ai moment u shpalos para syve të tij një botë e re pa të cilën nuk donte të jetonte më.

Po cilat janë temat që e ngacmojnë më shumë? A ka qenë  emigracioni një faktor që ka ndikuar në filmat e tij?

Z. Alimani i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke thënë se çështja e emigracionit ishte e pashmangshme, duke marrë parasysh faktin që atij i është dashur të emigronte vetë bashkë me familjen. Por sigurisht, kjo nuk është tema e vetme e krijimtarisë së tij. Ai nënvizon se ajo që e intrigon pafund është natyra njerëzore dhe sidomos, “femra”. Në spektrin universal ai thotë se femra nga vetë natyra e saj është qenie më komplekse dhe me shumë dritëhije. Këto veçori të femrës nuk e lënë aspak mospërfillës regjisorin, i cili kërkon ta eksplorojë natyrën e saj, duke e sjellë shpesh në filmat e tij, siç ishte dhe rasti me dokumentarin “Fluturat”, “Albanian Virgin”, “Amnistia”, “Vëthi i humbur”.

Teksa flasim për filmografinë shqiptare, regjisori Alimani rrëfen se përtej propagandës, mund të thuhet se Shqipëria ka pasur një industri të mirëfilltë filmi, që ka prodhuar vepra shumë të arrira, të tilla si: “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pylli i lirisë”, “Pas vdekjes”, etj. Megjithatë, ai thekson se  frymëzimi  në krijimtarinë e tij vjen kryesisht nga kinematografia e huaj. Kështu, nuk ishte aspak surprizë të dëgjoja se regjisori i tij i preferuar është Krystof Kieslowski, duke marrë parasysh afinitetin stilistik mes dy kineastëve.

Pyetjes nëse kinemaja për të përfaqëson një mundësi për t’ju larguar realitetit, regjizori i përgjigjet se kinemaja është një medium për të ndaluar botën për një orë a dy, duke përcjellë një dimension të ri që nuk ishte perceptuar më parë. E gjitha është si një nevojë, sipas tij, për të tërhequr vëmendjen e botës…E megjithatë, ngacmimet nga jashtë janë të kudondodhura; një histori, një artikull gazete siç ndodhi p.sh me filmin Amnistia. Alimani e sheh kinemanë si një ftesë në debat me publikun, më shumë sesa një mënyrë moraliste për të diktuar një mendim të përcaktuar.  

Ai e ka pohuar edhe në intervista të tjera, se dëshira për të vazhduar për të bërë kinema nuk i mungon aspak, përkundrazi. Ndaj pyetjes se cilat janë projektet afatshkurtra apo afatmesme, ai i përgjigjet se nuk bën projekte për t’i lënë në sirtar. Ai punon dhe është aktiv gjatë gjithë kohës, me ide që i zhvillon njëra pas tjetrës. Kur frymëzimi vjen, e vë në jetë në kohë reale, megjithëse ndonjëherë ndodh që skenari është shkruar, por nuk është vënë në jetë. Këtu i referohet filmit me metrazh të shkurtër “Vëthi munguar”, i cili, është konceptuar si një trilogji, ku në qendër të saj janë dy personazhe gra. Njëra është bashkëshortja dhe tjetra, e dashura jashtë martese. Të dyja përballen në shtëpinë e burrit, që tashmë ka ndërruar jetë, duke lënë pas një testament. Dy projektet e tjera nuk janë xhiruar ende.

E megjithatë, ajo që e fisnikëron më shumë bisedën me regjisorin, është mënyra sesi ai e sheh veten në raport me autorët e rinj, ndaj të cilëve ndien një lloj detyrimi. Ai i sheh regjisorët e rinj si filiza që kërkojnë përkujdesje. “Ashtu siç jam ndihmuar unë në këtë rrugëtim drejt kinematografisë, ashtu më pëlqen edhe të ndihmoj të tjerët” shton ai. Alimani mendon se në kinematografi ka vend për të gjithë, ku secili ka mundësinë të sjellë risinë e vet. E në vazhdën e këtij misioni, në fund të majit dhe fillim të qershorit, do të angazhohet si drejtor artistik në festivalin e filmit shqiptar në Boston. Por dëshira e tij është që një nismë e tillë të përhapet edhe në vende të tjera si psh. Belgjika e pse jo të krijohet një nouvelle vague shqiptare.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja