Libri i përkthyer nga shkrimtari i njohur shqiptar, Bashkim Shehu u mundësua nga shtëpia botuese "Toena" në kuadër të festivalit të librit dhe artit pamor në ditën ndërkombëtare të librit.
Irena Toci, botuesja e Toenës gjatë takimit të shkrimtarit spanjoll me lexuesit e tij u shpreh për librin, i cili vjen në shqip, si një përkthim mjaft cilësor. “Ky libër do të qarkullojë në shqip dhe do t`i jap lexuesve të vet po aq sa dhe në gjuhën e tij origjinale baske që është botuar për herë të parë”, tha botuesja Toci.
Në këtë takim për të prezantuar shkrimtarin spanjoll Kirmen Uribe ishin të ftuar Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro, zv ambasadorja e Spanjës në Shqipëri dhe shkrimtarët Preç Zogaj dhe Ylljet Aliçka.
Për mikrofonin dhe kamerën e A1Report shkrimtari Kirmen Uribe u shpreh i emocionuar rreth takimit të organizuar për prezantimin e librit të tij.
“Më prezantuan dy shkrimtarë të njohur shqiptarë që e kishin lexuar librin duke dhënë përshtypjet e tyre, përfaqësuesit e ambasadës dhe ndërhyrja e Ministres së Kulturës. Kështu që, jam shumë i kënaqur”, tha Uribe.
Në lidhje me përkthimin në gjuhë të ndryshme të botës dhe së fundi në shqip, shkrimtari Kirmen Uribe, u shpreh se ndihej shumë mirë që është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, i cili është një vend i vogël ashtu si gjuha e tij e vendlindjes Baske.
“Ky është romani im i parë dhe është një fat për mua që është përkthyer nga gjuhë të mëdha por edhe nga gjuha shqipe”, u shpreh shkrimtari Kirmen Uribe.
Bilbao - Nju-Jork - Bilbao rrjedh përgjatë një fluturimi nga aeroporti i Bilbaos në aeroportin JFK të Nju-Jorkut, dhe shtjellon historinë e tre breznive të një familjeje.
Përmes letrash, ditarësh, mesazhesh, e-mail-esh, poezish dhe fjalorësh, krijohet një mozaik kujtimesh e rrëfimesh, që përbëjnë një homazh ndaj një bote thuajse të zhdukur, dhe njëherësh një këngë për vazhdimësinë e jetës.
Me këtë roman, fitues i Çmimit Kombëtar të Prozës më 2009, Kirmen Uribe debuton mahnitshëm në panoramën e prozës hispanike.
I konsideruar si një nga rinovuesit më të shquar të letërsisë së sotme, futet në ujërat e autofiksionit me një stil të pasur, kompleks, sugjestiv dhe prekës përnjëmend.
Libri i Kirmen Uribes është përkthyer në frëngjisht, spanjisht, katalanisht, galicisht, portugalisht, japonisht, rusisht, sllovenisht, serbisht, gjeorgjisht dhe bullgarisht. Pra, shqipja është gjuha e katërmbëdhjetë. Redaksia Online (m.z/shqiptarja.com)