Një ngjarje e rëndë është zbuluar sot në Pogradec. Një 12 vjeçare pas një vizite në spital, ka rezultuar shtatzënë, rreth 22 javëshe.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se e mitura është abuzuar seksualisht me forcë nga një i moshuar me njohje familjare me familjen e saj. Fqinjët apo të afërmit e të dyshuarit thonë se nuk e njohin si person problematik dhe se ai është pensionist, baba i katër fëmijëve.

Rasti është evidentuar pasi vajza kishte ndryshime fizike, çka detyroi prindërit ta çonin në spital për ekzaminim. Pas vizitës u konfirmua se e mitura ishte shtatzënë.

Mësohet se i moshuari, i dyshuar rreth 70 vjeç, e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën për të mos treguar ngjarjen ndërsa policia ka bërë arrestimin e këtij të fundit.

Aktualisht po kryhen veprimet hetimore dhe po merren në pyetje familjarët, ndërsa vajza ka pranuar ngjarjen në prani të psikologut. Priten detaje të tjera në vijim.