BERAT-Prej disa javësh ka nisur rikonstruksioni i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Beratit, duke bërë që ky shërbim te transferohet tek Materniteti.
Një sallë operacioni tek Materniteti sot po përdoret nga Kirurgjia dhe kjo ka sjellë revoltën e mjekëve obster- gjinekologë, të cilët pezulluan punën për një orë.
Shefi i Maternitetit të Beratit, Gentjan Kusta, shprehet se vendimi për të përdorur sallën abortale është i rrezikshëm, si në aspektin higjieno-sanitar, ashtu edhe për gjendjen emocionale të grave, tha Gentjan Kusta, Shef i Maternitetit të Beratit
Mjekët i janë drejtuar me shkresë zyrtare drejtuar Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, ku theksohet se materniteti është një investim i ri dhe se përdorimi i sallave për ndërhyrje kirurgjikale cenon intimitetin dhe sigurinë e pacienteve. Nuk morën asnjë përgjigje nga ministrja, ndaj sot vendosën të bojkotojnë punën për një orë.
“Eshtë e papranueshme që në të njëjtën hapësirë ku trajtohen gra shtatzëna të kryhen ndërhyrje kirurgjikale të tjera. Gratë shtatzëna rrezikojnë të marrin infeksione”, shton më tej, Gentjan Kusta, Shef i Maternitetit të Beratit.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Beratit, Arben Konomi, theksoi se rikonstruksioni i Kirurgjisë është një investim jetik që nuk mund të ndalet. Ai tha se salla në Maternitet do të përdoret për tre muaj. Ai kërcënoi mjekët protestues se do të përballen me masa administrative deri në largim nga puna, nëse vijojnë bojkotin.
“Askush nuk ka të drejtë të ndërpresë shërbimin ndaj qytetarëve. Mjeket që do nderpresin sherbimin do perballen me masa administrative”, u shpreh për mediat, Arben Konomi, Drejtor i Spitalit Rajonal Berat.
Në vend të përmirësimit të kushteve, rikonstruksioni ka sjellë kaos në spitalin e Beratit. Mbetet për t’u parë nëse Ministria e Shëndetësisë do të ndërhyjë për të qetësuar situatën, pasi përplasja mes mjekëve dhe drejtuesve rrezikon përkohësisht edhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Komente









