'Humba' 30-vjetorin! Meta kujton eksodin gjatë luftës së Kosovës: Vinim nga ndarja pas '97-ës, u bëmë si një trup i vetëm

'Humba' 30-vjetorin! Meta kujton eksodin gjatë luftës së Kosovës: Vinim nga ndarja pas '97-ës, u bëmë si një trup i vetëm

PRISHTINE- Presidenti Ilir Meta ka kujtuar angazhimin e shqiptarëve për të qenë pranë popullit kosovar gjatë periudhës së luftës me Serbinë. Teksa mori pjesë sot në një ceremoni të organizuar në Prishtinë në shenjë falënderimi ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, për solidaritetin e ofruar pas shpërnguljes me forcë nga regjimi serb, Meta kujtoi eksodin masiv dhe solidaritetin e shqiptarëve duke e quajtur vitin 1999, një vit të jashtëzakonshëm për historinë e Ballkanit dhe vendit tonë. Ai kujtoi se atë ditë kishte edhe 30 vjetorin e lindjes, por nuk arriti ta festonte pas lajmit për nisjen e ndërhyrjes së NATO-s.

"Në Shqipëri çdo 28 nëntor festojmë jo vetëm duke u përkulur me nderim para Ismail Qemalit dhe para të gjithë atyre personaliteteve që ngritën flamurin në Vlorë por në mënyrë të veçantë duke nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe gjithë atyre udhëheqësve të Kosovës që patën një kontribut të jashtëzakonshëm për të krijuar shtetin shqiptar edhe pse gjysma e territoreve mbetën jashtë tij dhe pse Kosova sakrifikoi. Jemi të lumtur që të kujtojmë vitin 1999, një vit i jashtëzakonshëm në historinë e Ballkanit por sidomos të vendit tonë. Një vit prove, një test afirmues apo shkatërrues për një vend dhe një komb. Duke i uruar ditëlindjen imzot Dodë Gjergji, për ne 24 marsi është një ditë e veçantë. Kisha 30-vjetorin atë ditë por nuk pata mundësi ta festoja për shkak të një lajmi akoma më të mirë për mua e çdo e shqiptar atë të nisjes së ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit dhe barbarisë në Kosovë", u shpreh Meta.

Meta shprehu falenderimet edhe për kryeministrin e asaj kohe në Shqipëri, Pandeli Majko, presidentin Rexhep Mejdani dhe forcat politike që siç tha Meta u bënë një trup i vetëm për të pritur 1 milion vëllezër dhe motra nga Kosova. "Duke shprehur njëkohësisht dhe falënderimet e mia më të mira edhe për kryeministrin e asaj kohe në Shqipëri, zotin Majko, për Presidentin Mejdani për të gjitha forcat politike që edhe pse vinim nga një ndarje e thellë e ’97 u bënë si një trup i tërë për të pritur 1 milion vëllezër e motra nga Kosova. Ju me të drejtë thoni faleminderit Shqipëri edhe pse Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të gjenocidit të Millosheviçit. Edhe kur takohemi me zotin Majko e kolegë të tjerë e kemi të vështirë ta kuptojmë si mund të përballohej një krizë e përmasave të jashtëzakonshme kur UNHCR që ishte lajmëruar për këtë krizë, nuk kishte më shumë se sa mijëra dyshekë në Shqipëri dhe kriza u përballua falë përkushtimit të çdo shqiptari të thjeshtë. Do të theksoja solidaritetin heroik të popullit të Kukësit. Pata fatin të isha për disa javë atje kur kriza shpërtheu dhe padyshim që sot kemi miqësira të pafundme të krijuara në atë periudhë ku nga Tropoja deri në Sarandë të gjithë mirëpritën vëllezërit nga Kosova, po janë pafund familjet kuksiane që nuk i mbajnë mend të gjitha familjet që kanë pritur nga Kosova edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike e sociale", tha Meta.

Kreu i Shtetit i cilësoi njëzet vitet e kaluara mjaft të mira, ndërsa shoi se duhet të bëjmë akoma më shumë për ndërlidhjen mes dy vendeve, duke shprehur edhe nevojën për të shtuar forcat që të rinjtë të mos largohen nga vendi. "20 vite kanë kaluar dhe jemi vërtet shumë më mirë se 20 vite më parë. Por nuk jemi aq të lumtur sa do të donim. Duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen që të shohim çfarë duhet të bëjmë më mirë. E mbani mend se si ishte rruga nga Kukësi në Tiranë. Ata që e bënin atë rrugë e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur falë ‘Rrugës së kombit’, që ka krijuar një afërsi të pabesueshme, të cilën duhet ta shfrytëzojmë akoma më mirë për të ardhmen. Shqetësimi ynë është të punojmë për të mbajtur të rinjtë. Kjo është sfida jonë më e madhe", tha Meta.

Meta shprehu falenderimin për shtetin kosovar lidhur me reagimin e tyre gjatë tërmetit të 26 nëntorit që preku Shqipërinë. "Do doja të shprehja falënderimin tim të përzemërt për të presidentin Thaçi, për institucionet, për FSK-në, qytetarët për atë reagim të jashtëzakonshëm pas tërmetit, pasi Kosova ishte e para që u gjend kudo në Thumanë në Durrës atje ku tërmeti i 26 nëntorit bëri dëmet më të mëdha. Reagimi i tyre profesional e i menjëhershëm ka lënë gjurmë të thella. Kështu duhet të vazhdojmë të jemi pranë njeri-tjetrit", deklaroi Meta.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë/ Përplasen kokë më kokë dy veturat, plagosen në aksident 2 shoferët dhe pasagjeri (VIDEO)

Lezhë/ Përplasen kokë më kokë dy veturat, plagosen në aksident 2 shoferët dhe pasagjeri (VIDEO)