Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka reaguar lidhur me incidentin mbi kishën e Dhërmiut duke thënë se qeveria është e kapur nga interesat klienteliste. PBDNJ akuzoi deputetin e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima si të përfshirë në këtë çështje dhe kërkoi ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të garantuar respektimin e minoritetit.
 
Deklarata e PBDNJ-së:
“Vandalizmi qeveritar në Shën Athanas, Dhërmi, është dëshmia e radhës dhe me domethënëse se në vendin tonë Kushtetutshmëria, shteti i së drejtës, dimensioni human dhe liria e besimit po i lënë  vendin përditë edhe më tepër arbitraritetit, arrogancës, dhunës dhe hipokrizisë.
E kapur nga interesa klienteliste, qeveria që dështoi të ndërtojë për qytetarët shkolla dhe spitale, po i shkatërron atij objektet e kultit dhe i dhunon jetën shpirtërore.
Asnjë "patriotizëm" nuk mund të bëhet strehe për qëllimet grabitëse, tashmë të njohura botërisht, të Z. Kokëdhima me mbështetjen e Kryeministrit Rama ndaj pronave të Bregut.
Në këto kushte bëhet imediate nevoja e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar për të vënë në mbrojtje vlerat tona shpirtërore nën kërcënim dhe garantuar respektimin e lirisë së besimit në veçanti dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve në përgjithësi.
Nën hijen e këtyre zhvillimeve, ku do ta gjejë vallë hipokrizinë proverbiale që do t’i duhet sot Kryeministrit Rama për të parë në sy Kancelaret Merkel dhe Freyman si edhe koleget ballkanoperëndimorë në samitin e Vjenës?!
Po popullit shqiptar si do t’i shpjegohet që po ia bën përditë edhe më të largët arritjen e ëndrrës evropiane?

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)